Deputeti Tritan Shehu dhe kreu i PD në Gjirokastër, Dasho Aliko, kanë folur sot mbi referendumin që do të mbahet ditën e nesërme nga ish-kryeministri Sali Berisha, pikërisht në ditën kur kryedemokrati Lulzim Basha mbledh Kuvendin Kombëtar të partisë.

Duke folur për media, të dy demokratët janë shprehur se do të ketë pjesëmarrje masive në referendumin e nesërm, për të votuar sipas tyre, për ndryshimin.

Tritan Shehu: Unë jam në Gjirokastër për të ndjekur përgatitjet që po bëhen nga degët e PD në këtë qark për referendumin e nesërm, që është i rëndësishëm, sepse do të ratifikohet vendimi jo thjesht për shkarkimin e Bashës si kryetar i PD, por edhe në vazhdimësi të një procesi shumë të rëndësishëm që ka nisur në PD, për nxjerrjen e saj nga këneta, ku ra me zgjedhjet e 25 prillit. Unë mendoj se referendumi i nesërm është shumë i rëndësishëm, thelbësor, do të ketë një pjesëmarrje shumë të gjerë, më të gjerë se çdo herë tjetër. Ju bëj thirrje anëtarëve të PD në Gjirokastër të marrin pjesë nesër masivisiht, të votojnë të lirë me vullnetin e tyre, për vendimet e Kuvendit, për ndryshimet e mëdha që kërkon PD, pikërisht për të realizuar aspiratat tona, që përputhen me ato të shqiptarëve në tërësi. Hapet rruga e disa elementëve të gjerë demokratikë, hapet rruga e ndryshimeve drejt një partie më të madhe, më të hapur.

Dasho Aliko: Për ne demokratët dita e nesërme është një ditë e madhe, sepse është një vlerësim dhe vlerë që u jepet anëtarëve të PD për të treguar forcën e tyre, mbështetjen e tyre për PD dhe për të votuar për ndryshimin. Mendoj që ne do të kemi një pjesëmarrje, në krahasim me 17 korrikun, 20-30% më shumë. Nesërm besoj se pas orës 19:30 do të kemi një rezultat real mbi të gjitha qendrat e votimit dhe të gjitha degët. Qëllimi jonë kryesor është që njerëzit dhe anëtarët e PD kanë krijuar një vlerësim për Kuvendin e datës 11, i cili u vërtetua që ua dha fuqinë këtyre anëtarëve të PD. Sot ata janë të vlerësuar, që do të kenë në dorë fatin e çdokujt që pretendojnë të jenë në forumet drejtuese të PD, duke filluar nga seksioni deri te kryetari i madh. Ne nuk shkojmë të votojmë nesër se duam apo nuk duam Bashën, apo dikë tjetër, por shkojmë të votojmë ndryshimin. Ky ndryshim do të jetë shumë i madh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb