TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë sot në një tjetër deklaratë për mediat për situatën që është krijuar nga mungesa e komisionerëve të KZAZ, të cilët për shkak të frikës së vendit të punës në administratë nuk janë paraqitur në KZAZ.

“Ditën e diel, dt. 11 qershor, pra ditën e nesërme përfundon afati për dorëzimin e dokumenteve për akreditimin e vëzhguesve pranë KZAZ-ve.
Nga të gjithë subjektet zgjedhore që i janë drejtuar selive të KZAZ-ve për të dorëzuar dokumentet e akreditimit, vijnë shqetësime se Komisionerët e Zonave të Administrimit Zgjedhor nuk janë në punë.
Kjo është e patolerueshme, pasi komisionerët e KZAZ-vë në zbatim të udhëzimit nr.2/2009 të miratuar nga KQZ-ja, duhet të qëndrojnë në krye të detyrës për të realizuar të gjithë veprimtarinë që ju ngarkon Kodi Zgjedhor, nga ora 08.00 – 13.00 dhe pasdite 16.00 – 20.00”, deklaron KQZ.

KQZ i tërheq vëmendjen anëtarëve të KZAZ-ve që të qëndrojnë në selitë e KZAZ-ve dhe të respektojnë orarin e punës.

“Jemi në periudhë zgjedhore dhe ditët e fundjavës për komisionet zgjedhore janë ditë pune, ndaj të gjithë komisionerët e KZAZ-ve, duhet të jenë në punë sot por edhe ditën e nesërme”, tha KQZ.

Po sot, KQZ vuri alarmin për të njëjtin fakt, mungesën e komisionerëve duke theksuar se procesi zgjedhor është në prag të kolapsit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: