TIRANE – Në prag të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Ambasadori amerikan Donald Lu është rikthyer në selinë e Partisë Demokratike. Ambasadori amerikan është parë të futet në selinë e PD-së rreth orës 11:00 dhe ka dalë prej andej rreth orës 12:00. Mësohet se ambasadori Lu ka biseduar me kreun e PD-së për rreth një orë.

Ambasadori amerikan pritet të zhvillojë pasditen e sotme edhe një takim me kryetarin e parlamentit, Ilir Meta në orën 16:00.

Projektligji i ri “Për rivlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve” do të miratohet nesër, më 30 gusht në Parlament, mesa duket edhe pa votat e PD-së.

Demokratët kanë depozituar sot në kuvend amendimet për secilin prej 66 neneve të draftit, që vendos normat se si do të kontrollohen gjyqtarët dhe prokurorët në pasuritë apo figurën e tyre.

PD thekson se: “amendamentet e paraqitura nga deputetët e opozitës për nenet 1-25, synonin garantimin e: (i) përputhshmërisë së plotë të projektligjit me Kushtetutën, opinionet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare; (ii) llogaridhënien, pavarësinë, efiçencën, shpejtësinë dhe saktësinë në ushtrimin e funksionit nga organet e rivlerësimit; (iii) respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; (iv) përmbushjen e urdhërimeve të kushtetutë/bërësit, që ka ngarkuar ligjvënësin me rregullimin e plotë, të detajuar dhe të saktë të të gjithë procedurës së rivlerësimit; (v) transparencën e procedurës së përzgjedhjes së funksionarëve të organeve të rivlerësimit; (vi) plotësimin e përmbajtjes së projekt/ligjit, si dhe përmirësimin dhe qartësinë e tij, në funksion të garantimit të parimit të sigurisë juridike dhe standardeve të shtetit të së drejtës’.

Sipas PD-së, versioni i projekt/ligjit i miratuar nga mazhoranca parlamentare në Komisionin e Posaçëm, paraqet probleme të thella të përputhshmërisë me Kushtetutën.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb