Në prag të zgjedhjeve të rëndësishme për strukturat drejtuese të Urdhrit të Psikologut, kandidatët për poste kyçe kanë prezantuar vizionin e tyre për të ardhmen e këtij institucioni.
Në një intervistë për News 24, Brunilda Laboviti, kandidate për presidente të Urdhrit të Psikologut, dhe Anxhela Peza, kandidate për anëtare të Këshillit, folën për eksperiencat e tyre profesionale dhe objektivat që kanë nëse marrin mbështetjen e komunitetit të psikologëve.
Laboviti theksoi rëndësinë e përvojës dhe etikës në drejtim, ndërsa Peza u shpreh se synon të jetë një zë për çdo psikolog në vend.
Brunilda Laboviti, kandidate për presidente të Urdhrit të Psikologut: Kam mbaruar doktoraturë në shkenca sociale dhe jam pedagoge, kam qenë anëtare e Komisionit të Etikës për dy mandate dhe po kandidoj për presidente të Urdhrit. Nesër janë zgjedhjet e Urdhrit të Psikologut. Kam 15 vite që ushtroj profesionin e psikologes. Votimet bëhen nesër dhe është një ditë e shenjtë për psikologët. Kushdo psikolog që do të votojë, duhet të ketë kartën e identitetit me vete.
Anxhela Peza, kandidate për anëtare të Këshillit të Urdhrit të Psikologut: Unë kam qenë 22 vjeçe kur nisa eksperiencën në profesion në emisionin “Me zemër të hapur” dhe kam plot vite që jam psikologe. Dua të jap kontribut për çdo psikolog/e të Republikës. Kam punuar në kopshte private, kam punuar si pedagoge e jashtme, dua të jem zë i fortë në Këshillin e Urdhrit të Psikologut. Kam prekur shumë fusha në profesionin tim.