Në një reagim ndaj liderit suprem iranian, Ali Khamenei, kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu deklaroi sot se, nëse dikush mendonte se lëshimet e mëdha të bëra Iranit do të ndryshonin politikën e tij, ka marrë tashmë si përgjigje fjalët e tij agresive dhe sfiduese.

”Iranianët nuk bëjnë as më të voglën përpjekje për të fshehur përdorimin e qindra miliarda dollarëve për të forcuar aparatin e tyre terrorist dhe luftën kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj”, theksoi Netanyahu.

”Marrëveshja për programin bërthamor me fuqitë e mëdha nuk do të ndyshojë politikën e Iranit përballë qeverisë arrogante amerikane, as mbështetjen e tij për miqtë në rajon”, deklaroi dje lideri suprem iranian, ajatollahu Ali Khamenei.

“Republika islamike e Iranit nuk do të heqë dorë nga mbështetja për miqtë e saj në rajon, popujt e shtypur të Palestinës, Jemenit, popujt dhe qeveritë siriane dhe irakiane, popullin e shtypur të Bahreinit dhe luftëtarët në Liban dhe në Palestinë. (…)”, theksoi lideri suprem në një fjalim me rastin e faljeve për Fitër Bajramin.

(a.n/ANSA/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: