Neuropsikiatria kosovare, Valbona Tafilaj, ka treguar për fazën e saj të shërimit pasi ishte njëra ndër personat e parë që ishte e prekur me virusin COVID-19, në Kosovë.

Tafilaj tha se në momentin e parë që e kuptoi që ishte infektuar me virusin COVID-19, nuk e përjetoi emocionalisht mirë.

Ajo tha se shërimi i saj ka zgjatur plotë 30 ditë, dhe se gjatë gjithë kohës ka qenë e mbyllur në dhomën e repartit të Klinikës Infektivës në QKUK, e izoluar dhe larg familjes së saj.

“Kam qenë një ndër të parat e infektuara në Kosovë. Diku njëra ndër të 20-të të infektuarit. Për mu nuk ka qenë lajm i mirë, dhe sigurisht për virusin nuk dinte askush asgjë. Si doktoreshë menjëherë filluan mendimet e ndryshme se ç’mund të bëj virusi. Jam hospitalizuar në Klinikën Infektive për 30 ditë sa dhe është dashur të trajtohej sëmundja ime. Krejt çka më ka bërë të ndihem mirë ka qenë stafi mjekësorë për trajtimin që ma kanë bërë mua dhe të tjerëve. Ka dal shumë herë testi pozitiv dhe sigurisht dhe unë kam pas emocionet e mia dhe kam qajt, e ka ndodh infermieri i ka vesh rrobat dhe ka ardhur tek unë e më ka thënë ‘doktoreshë vetëm po du me nejt me ty, që të qetësohesh’. 30 ditë s’kam dal fare nga dhoma, 23 ditë as derën e ballkonit se kam hap. Të vetmit vizitor që i kam pas kanë qenë vetëm shoqet e mi, nga xhami i ballkonit. I lus qytetarët që sa më pak njerëz të sillen rreth spitaleve. Përkundrazi më shumë ia rëndojmë dhe anën psiqike të pacientëve. Familjen time nuk i kam takuar fare “, ka treguar Tafilaj, përcjell Telegrafi.

Ajo tutje shtoi se edhe pse ka qenë shumë mirë me shëndet para se të infektohej me COVID-19, asaj iu paraqitën shumë probleme të reja si diarre, frymëmarrja, kokë dhembje me vjellje, etj.

“Kam pas probleme me diarre, me frymëmarrjen, kolli s’më është ndalur fare. S’kam pas probleme kronike, por gjatë kësaj kohe kam pas probleme me tensionin dhe probleme tjera shoqëruese që unë si kam pas fare. Kam pas lodhje dhimbje të muskujve, kokë dhembje me vjellje e cila ka qenë e çuditshme edhe për mu edhe për stafin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, virusi ekziston dhe se qytetarët duhet ta marrin shumë seriozisht kujdesin ndaj vetes dhe rrethit ku jetojnë e veprojnë.

“Njerëzit duhet ta kuptojnë që virusi është në mesin tonë, nëse nuk e bëjmë për veten duhet ta bëjmë për prindërit dhe gjyshërit tanë. Nëse mjekohet nga ne dhe ka me përfundu në mjekimin intensiv dhe nuk ka me dal më nga aty, atëherë krejt jetën ne do të ndjehemi keq”, potencoi ndër të tjera neuropsikiatria Tafilaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb