Nga: PETRIT HALITI *
Një kthesë diplomatike e pazakontë në politikën e jashtme kineze ndodhi në 26 shkurt, kur Kina vendosi që nëpërmjet ambasadorit të saj në Bruksel, ku ndodhen selitë e Bashkimit Europian dhe të NATO-s, të shpallë rreshtimin e saj përkrah Rusisë në çështjen e krizës ukrainase. Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Hsinhua”, njoftoi në 26 shkurt për deklaratat e ambasadorit të Kinës në Belgjikë, Qu Xing, ku paraqitej qëndrimi i ri i diplomacisë dhe i qeverisë kineze për konfliktin në Ukrainë, dhe disa teza të padëgjuara më parë në diplomacinë tradicionale kineze të gojës së mbyllur dhe të buzëqeshjes me të gjithë njëlloj. Konkretisht, tezat e reja kineze: 1- Perëndimi, Europa dhe SHBA, duhet të marrin në konsideratë shqetësimet reale të sigurisë së Rusisë në Ukrainë. 2- Rusia mund të ndihet në ankth që Perëndimi mund të shtrydhë hapësirën e saj gjeografike, duke ushtruar influencë në vendet e Europës Lindore, përfshirë dhe Ukrainën. 3- Rusia ndihet se nuk është trajtuar barabar nga Perëndimi dhe interesat e saj të sigurisë dhe të zhvillimit nuk janë respektuar nga Perëndimi. 4- Fuqitë e mëdha duhet të kërkojnë një situatë win-win, sesa një siguri me shumë zero. 5-Kriza e Ukrainës ka rrënjë të brendshme dhe të jashtme dhe ndërhyrja e jashtme e ka bërë atë një krizë serioze sot.
Tezat e reja të hedhura nga përfaqësuesi i lartë diplomatik i Kinës përbëjnë një lëvizje të madhe strategjike në politikën europiane dhe ndërkombëtare të Kinës. Para së gjithash duhet thënë se kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor nga qëndrimi i deritanishëm i saj, ku gjithmonë është përpjekur të ruajë në aparencë dhe zyrtarisht një qëndrim neutral dhe mosndërhyrës, duke deklaruar se mbështet parimet e pavarësisë, të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Ukrainës. Deri tani Kina është paraqitur në arenën ndërkombëtare si neutrale në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe në konfliktin për Ukrainën mes Europës e SHBA nga njëra anë, dhe Rusisë nga ana tjetër. Në mënyrë indirekte Kina në fakt e ka mbështetur politikisht Rusinë, siç është rasti kur në mars të vitit të kaluar nuk pranoi dhe abstenoi rezolutën, që u propozua në Këshillin e Sigurimit të OKB për të dënuar pushtimin e Krimesë nga Rusia, apo fakti që Kina nuk e ka dënuar asnjëherë pushtimin e Krimesë apo ndërhyrjen e trupave ruse në Ukrainë. Tani kemi një kapërcim të këtij qëndrimi zyrtar neutral dhe një rreshtim të hapur me Rusinë dhe me politikën dhe ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë. Është pikërisht për këtë ndryshim drastik, që deklaratat e ambasadorit kinez, të bëra në emër të qeverisë kineze, morën menjëherë rëndësinë e një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare në gjithë kancelaritë diplomatike, ndërsa në gjithë mediat ruse, elektronike apo të printuara, shpërtheu entuziazmi shtetëror me titujt dominues “Kina përkrah politikën e Putinit në Ukrainë”.
Një zhvillim i tillë negativ në sjelljen dhe në qëndrimin e diplomacisë kineze për një çështje dhe krizë europiane, përbën një rast për t’u shënuar dhe analizuar, sepse Kina është një qendër e rëndësishme e politikës globale dhe se politika kineze në Europë ka lidhjet dhe pasojat e veta, si në shkallë europiane, ashtu dhe në shkallë rajonale, dhe më konkretisht në Europën Juglindore.
Rreshtimi i Kinës me Rusinë dhe dalja e saj kundër Europës dhe SHBA për krizën ukrainase, është një rreshtim strategjik dhe gjeopolitik me anën e gabuar dhe me shtetin e gabuar. Me këtë rreshtim Kina i jep një ndihmë të madhe Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në kursin dhe në strategjinë e tyre agresive në Ukrainë dhe në Europë. Është gjithashtu një ndihmë kineze për kapërcimin e izolimit diplomatik ndërkombëtar, ku Rusia e ka gjetur veten pas agresionit të saj ushtarak në Ukrainë. Deri tani Pekini ka ndihmuar Moskën që të lehtësojë apo kapërcejë disa nga pasojat e sanksioneve të BE dhe të SHBA ndaj Rusisë, duke i ofruar Moskës, si tregje të reja, ashtu edhe investime dhe kapital kinez. Me ndryshimin e qëndrimit për krizën ukrainase kemi një ndihmë politike, diplomatike, propagandistike dhe strategjike për planet dhe ambiciet e Rusisë në Europë. Me këto qëndrime Kina jo vetëm nuk bashkohet me përpjekjet ndërkombëtare për lehtësimin apo për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, por përkundrazi, e komplikon edhe më tepër atë. Duke mbështetur shtetin, që ka bërë agresionin, ajo e inkurajon Moskën që të jetë më intransigjente në thellimin e krizës dhe të ndërhyrjes së saj ushtarake dhe diversive në Ukrainë dhe të legalizojë në forma të ndryshme prishjen e shtetit të Ukrainës. Ambasadori kinez u përpoq që ta arsyetonte ndërhyrjen e Rusisë me karakteristikat etnike dhe ndryshimet historike dhe kulturore midis pjesëve të ndryshme të Ukrainës. Kjo është një tezë tepër e rrezikshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në stabilitetin rajonal, sepse po të shkonim sipas kësaj teze, do të duhej që Kina vetë të kishte qëndrim tjetër, si ndaj Tibetit, ashtu dhe ndaj Sinkiangut.
Pa dyshim, ky ndryshim apo kthesë e Kinës ka qëllimet e veta, që lidhen me strategjinë e Kinës për t’u afirmuar si një fuqi botërore, që kërkon dhe shpall pretendimin e vet për krizat dhe problemet ndërkombëtare, kudo që ndodhen ato, pavarësisht se sa larg Kinës dhe larg Azisë. Kina braktis neutralitetin e saj të deritanishëm për të miratuar kursin agresiv rus të aneksimit të territorit ukrainas, që nga Krimeja e deri tek Ukraina Lindore. Në shkëmbim të kësaj mbështetjeje për politikën e Putinit, Kina pret mbështetjen e Rusisë për ambiciet dhe planet e vendosjes së kontrollit të saj në detin e Kinës Jugore dhe në Paqësor. Është e njohur se Kina kohët e fundit ka nisur një ofensivë të shtrirjes së ekspansionit të saj territorial në ishujt dhe ujërat e Paqësorit, duke demonstruar forcën detare dhe duke hyrë në konflikte territoriale me Japoninë, Indinë, Vietnamin, Korenë e Jugut, Filipinet etj. Ky ekspansion territorial i ka acaruar marrëdhëniet edhe me SHBA, që është një fuqi e madhe e Paqësorit. Kina ka nevojë për mbështetjen e Rusisë në këtë ekspansion detar në rritje. Qëndrimi i ri kinez në përkrahje dhe në justifikim të politikës agresive ruse në Ukrainë, mund të merret si sinjal për një kurs më agresiv të Kinës në të ardhmen në kontinentin aziatik dhe sidomos në çështjen e Tajvanit, ku formula ruse e pushtimit ushtarak të kamufluar të Krimesë mund të jetë dukur joshëse për strategët kinezë.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Kinës në mbështetje të ndërhyrjes dhe të qëllimeve ushtarake të Rusisë ka një domethënie të madhe në planin gjeopolitik, sepse ajo merr anën ruse jo thjesht për Ukrainën, por rreshtohet kundër Perëndimit në përplasjen e madhe gjeopolitike, që po ndodh për Ukrainën, duke u shndërruar në një nxitje për strategjinë gjeopolitike ruse në Europë. Këtu kemi të bëjmë me një zhvillim negativ, sepse Kina del hapur në mbështetje të pretendimeve ekspansioniste të Rusisë për të vendosur influencën e saj në ish-vendet komuniste të Europës Lindore, të cilat kanë qenë dikur anëtare të Traktatit ushtarak të Varshavës të sunduar nga Rusia, në kohën e Luftës së Ftohtë. Është vërtet tronditës pretendimi kinez, i shprehur nga ambasadori, se Rusia mund të ndihet në ankth që Perëndimi mund ta ngushtojë hapësirën e saj gjeografike, duke ushtruar influencën në vendet e Europës Lindore. Është hera e parë, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e komunizmit në vendet ish-komuniste të Europës Lindore, që Pekini flet për të drejtën e Rusisë për një “hapësirë gjeografike” të vendeve të Europës Lindore. Termi “hapësirë gjeografike” është një eufemizëm i lexueshëm lehtë për hapësirë influence ruse. Nuk mund të mos shtrosh pyetjen se, kush ia dha këtë të drejtë apo si e merr përsipër Pekini këtë të drejtë të caktojë se vendet e Europës Lindore qenkan “hapësirë gjeografike” e Rusisë. A është kjo një ofertë kineze ndaj Rusisë për t’i kërkuar diçka tjetër në shkëmbim apo është sinjal për ndonjë tratativë të fshehtë, që mund të jetë zhvilluar mes dy vendeve lidhur me zonat e influencës në rajone të ndryshme të globit, kjo mbetet për t’u hulumtuar.
Vendet e Europës Lindore janë shtete të pavarura dhe sovrane, anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe kanë zgjedhur sistemin e brendshëm politik dhe politikën e tyre të jashtme në përputhje me vullnetin e tyre dhe me institucionet demokratike, që kanë ndërtuar vetë. Tani befas del diplomacia kineze dhe shpall një të drejtë të Rusisë për “hapësirën e saj gjeografike”, çka do të thotë se Kina, ashtu siç po mbështet Rusinë për pushtimin e territorit të Ukrainës, mund të mbështesë nesër aventura të tjera gjeopolitike ruse me objektiv pushtimin e njërit apo tjetrit shtet të Europës Lindore. Nuk e dimë se si do t’i dukej Pekinit “formula e vet ukrainase”, nëse Indisë i tekej një ditë të pushtonte ndonjë territor të Kinës në emër të “hapësirës gjeografike” të dikurshme.
Ky ndryshim i qëndrimeve të deritanishme neutrale dhe mosndërhyrëse të Kinës, nuk mund të mos zgjojë një shqetësim lidhur me strategjinë dhe me programet e bujshme ekonomiko-politike të Kinës në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Ashtu siç kam theksuar edhe më parë në faqet e kësaj gazete, programet dhe strategjia kineze e investimeve masive në këto shtete është gjeopolitikë dhe jo dashuri. Kjo do të thotë se këto programe janë të lidhura dhe bashkërendohen me strategjinë politike dhe gjeopolitike të Kinës, të cilat përputhen jo me ëndrrat e këtyre shteteve, por me interesat afatgjata të Kinës dhe të Rusisë, së cilës i njihen tani pretendimet për influencë në këto shtete ish-komuniste të Europës Lindore.
Kthesa të tilla strategjike të Kinës në fushën e politikës së jashtme, dëshmojnë jo vetëm braktisjen e atyre pesë apo dhjetë parimeve klasike neutrale dhe mosndërhyrëse apo të mbështetjes së pavarësisë së popujve, që Pekini ka profesuar prej gjashtëdhjetë e pesë vitesh. Neutraliteti i Kinës vdiq në Ukrainë. Kthesat e tanishme dëshmojnë se Kina gradualisht po ngutet të barazojë staturën e gjigantit ekonomik me staturën e gjigantit politik botëror. Një lëvizje, që po e bën në drejtim të gabuar, dhe që nuk është një ndryshim për të mirë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: