Kampi i muxhahedinëve në Shqipëri është i mbështjellë me një vello misteri për sytë e shqiptarëve, madje shumë nuk e dinë se diku në Manzë është një kompleks ndërtesash ku jetojnë prej disa vitesh 2800 muxhahedinë. Kurioziteti për anëtarët e lëvizjes kryesore opozitare të Iranit që jetojnë në kampin Ashraf 3 tërheq gjithmonë vëmendjen, por të depërtosh atje nuk aspak e lehtë. Në një event të rrallë, kampi hapi dyert për dhjetëra gazetarë shqiptarë dhe të huaj. Hyrja u bë nën masa të rrepta sigurie. Çdo objekt u kontrollua imtësisht, çdo çantë u zbraz, çdo xhep u hap. Çdokush kaloi në të paktën dy skanera. Në fund të kontrolleve ky qen kufiri kontrolloi gjithë sendet e gazetarëve dhe operatorëve. E në fund, askush nuk u lejua të futet brenda qytezës së muxhahedinëve pa certifikatë vaksine apo test PCR.

Për ndërtimin e kampit kanë punuar vetë anëtarët e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit.
Thonë se qytezën e ngritën brenda një viti me financim të mbështetësve brenda Iranit dhe jashtë tij, të cilët shitën shtëpitë apo makinat e tyre për të financuar Ashraf 3.

Arritën të xhirojmë palestrën, fushat sportive, pishën dimërore dhe banesat e tyre. Por duket se qëllimi I drejtuesve të kampit, ishte që gazetarët të shikonin nga afër pjesët e reja brenda “muzeut të Vuajtjeve” ku prisnin të mbijetuarit, ish të burgosurit politikë nën regjimet e mullahëve dhe të Shahut. Në hyrje të muzeut Nahin Nazari ish e burgosur politike nën regjimet e shahut dhe Kohimenit, përkëdhel fotografinë e djalit të saj Armirit. Ai u vra në sulmin e përgjakshëm në kampin e muxhahedinëve “Liberty” në Irak në shkurtit 2013.

“Djali im u kthye nga studimet në Gjermani, la jetën e rehatshme atje dhe u kthye për të luftuar regjimin. U bashkua me rezistencën. Djali u ekzekutua në kampin Ashraf me 52 njerëz të tjerë teksa po mbronte asetet e kampit në Irak. U vra nga forcat irakiane, ishte vetëm 33 vjeç”, -thotë Nazari. Ky është kafazi brenda burgut Gohardash, në të mbaheshin vajzat dhe gratë rebele të regjimit pasi kryenin 2 vite burg. Kafazi ishte krijuar enkas për të thyer e shtypur shpirtin e rezistencës, por jo të Hengame Haxhihasanit dhe Azam Haxhiheidarit. Ato janë të vetmet të mbijetuarat e torturave çnjerëzore. Në një metër kub, me sytë e lidhura të ulura përtokë nuk mund të nxirrnin asnjë tingull, s’mund të bënin asnjë zhurmë, përndryshe rriheshin barbarisht. Kafazi nuk ishte vetëm një burg por qendër e mirëfilltë torturash.

“Më sollën brenda kafazit pasi donin të bashkëpunoja me regjimin. E dini që gratë dhe vajzat në Iran nuk lejoheshin t’i bënin rezistencë regjimit? Donin të na thyenin. Nuk bashkëpunova me regjimin, më mbajtën për 8 muaj në kafaz. Nuk mund të shtriheshim, nuk mund të ngriheshim në këmbë, të flisnin apo të kolliteshim pasi na godisnin me kabllo. Gardianët na ruanin 24 orë vetë lëviznin me këpucë që nuk bënin zhurmë. Nëse luga bënte dhe zhurmën më të vogël në pjatë na rrihnin pasi e merrnin si në sinjal për të komunikuar me të burgosurat e tjera. Na kontrollonin vazhdimisht nëse ishim gati të dorëzoheshim, të bashkëpunonim me ta. Donin që tu jepnim informacione për miqtë tanë. Unë nuk doja që një shoqe të më zinte vendin, kjo me motivonte të duroja dhe të rezistoja. Po të tregoj për të burgosurat e tjera, ishin infermiere, u ekzekutuan të gjitha në masakër. Vetëm unë dhe Azam mbijetuam nga kafazi”,- tha Haxhihasan në rrëfimin e saj për televizionin News 24.

“Kur shikoj kafazin mendoj për shoqet që vdiqën unë do e çoj kauzën për to deri në fund. Kisha një ideal e kam ende. Ajo është liria e Iranit, asnjë nuk më ndal, asnjë presion deri sa të shikoj Iranin e Lirë. Torturat në kafaz ishin të papërballueshme, unë isha mësuese në atë kohë, doja të dilja andej pasi mbaja gjallë shpresën. Kjo më motivonte, kjo me mbajti gjallë”.-u shpreh Haxhihadari

Modele të disa pjesëve të burgut famëkeq Gohardash, duke përfshirë korridorin e vdekjes, dhomën e komisionit të vdekjes dhe dhomën e gazit, ku dhjetëra të burgosur rebelë mbaheshin për orë të gjata, ishin krijuar së fundmi në muzeun e luftës për liri në Iran. Ndërmjet fotografive dhe videove apo instalacioneve tregohen ngjarjet historike kyçe ne historinë e Iranit dhe organizatës.
Dhoma e gazit, ishte një magazinë në burgun e Gohardashit, kishte vetëm dy centimetra hapësirë nën derë për të qarkulluar ajrin. Për të ndëshkuar të burgosurit rojet fusnin në të dhjetëra prej tyre në momentin e dënimit dhe i mbanin me orë. Tregohet se si të burgosurit silleshin para komisionit të vdekjes, si rreshtoheshin në korridorin e vdekjes që të çonte në sallën e ekzekutimit, ku të burgosurit vareshin në grupe prej 12 vetësh.

Heidar Jusefi e kujton shume mire ditën kur priste i ulur me sytë e mbyllur në korridorin e vdekjes radhën të gjykohej nga komisioni. Pjesë e komisionit famëkeq ishte dhe presidenti aktual i Iranit Ebrahim Raisi. Gjyqi ndaj rebeleve të regjimit zgjaste deri në 2 minuta, gjatë të cilave bëhej vetëm një pyetje; A i mbështet muxhahedinët? Mjaftonte një PO dhe përfundoje të anën tjetër të korridorit, në dhomën e varjeve ku Hamid Nouri i cili po gjykohet sot në gjykatën e Stokholmit shtynte me këmbë stolat. Fati ishte me Heidarin atë ditë.

“ Nëse përgjigjeshim po unë mbështes muxhahedinët, dënoheshim vdekje. Hamid Nouri i merrte në dorëzim personalisht të burgosurit për t’i shoqëruar në dhomën e ekzekutimit. Komiteti i vdekjes nuk tregonte kurrë mëshirë. Unë po prisja në korridor, ishte ora 02.00 apo 03.00, kohe dreke. Papritur komiteti u ngrit dhe iku për të drekuar, ndjeva hapat e tyre. Ikën dhe nuk u kthyen më në dhomë atë ditë. Ja si shpëtova. Nëse do isha ulur para tyre unë do thoja PO si miqtë e mi. Po mbështes muxhahedinët! E di që fundi im do ishte në dhomën e ekzekutimeve. Kur zgjodha të luftoj për Iranin e lirë e dija që do torturohesha madje mund të ekzekutohesha. Shokët e mi ishin trima, ata dhanë jetën për Iranin!”,-tha i emocionuar nga kujtimet e dhimbshme Jusefi.

Regjimi i Ayatollah Khomeini nuk shpenzoi asnjë monedhe për t’i vrarë me plumba rebelët. Shumë prej tyre nuk prisnin që dikush tu shtynte stolin, por e bënin këtë vetë. Fjalët e fundit ishin për lirinë e Iranit dhe rezistencën. Si pjesë e përkujtimit të atyre që u masakruan në vitin 1988 në Iran, në Ashraf-3 ishte ndërtuar një model i varrezave Khavaran në Teheran, ku mijëra të burgosur politikë të ekzekutuar janë varrosur në varre pa emër. Sakaq më shumë se një mijë të burgosur politikë ishin mbledhur në një sallë gjigande, brenda kompleksit, në të cilën folën dëshmitarët okularë kyç, pikërisht të përzgjedhurit për të dhënë dëshmitë e tyre në gjykatën e Durrësit para gjykatësve suedeze deri më 18 nëntor.

Ata rrëfyen përvojat e tyre të tmerrshme gjatë kohës që ishin në robëri. Në fund të eventit doli në podium Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit. Prezenca e saj deri në momentin që u shfaq në event para ish të burgosurve dhe gazetarëve u mbajt e fshehtë për çështje sigurie nga drejtuesit e kampit Ashraf 3. Zonja Rajavi theksoi në fjalën e saj kryengritjen e para dy viteve në Iran ku regjimi vrau 1500 të rinj iranianë.

“Flakët e kryengritjes së përgjakur të nëntorit 2019 nuk janë shuar dhe nuk do të shuhen kurrë. Regjimi klerikal e ktheu atë në kasaphanë. Ai i masakroi protestuesit. Por shpirtrat e atyre 1500 të rinjve dhe adoleshentëve, zemrat e të cilëve u shpuan nga breshëria e plumbave nëpër rrugë, rrugica e moçale, do të ngrihen sërish. Ata do të ngrihen përsëri në formën e një ushtrie të madhe me ushtarë të panumërt derisa organizatorët dhe autorët e të gjitha masakrave të ndiqen penalisht dhe derisa të përmbyset fashizmi fetar në Iran. Muxhahedinët nuk do të heqin dorë kurrë nga ky objektiv derisa Irani të çlirohet”, tha Rajavi gjatë fjalës së saj përpara ish të burgosurve politikë.

Disa anëtarë të Organizatës që e kanë mësuar gjuhën shqipe, thonë se ndihen mirë dhe jetojnë në një mjedis mikpritës dhe mbështetës. Madje tregojnë edhe për aktivitetet brenda kampit dhe rezistencën që bëjnë kundra regjimit të Teheranit. Banorët e kampit Ashraf kanë deklaruar se kanë hequr dorë nga lufta e armatosur, dhe se rezistenca e tyre është me armën më të fortë që kanë: me fjalë! Në kampin e Manzës jetojnë në paqe dhe të sigurt larg tmerreve që përjetuan në kampet e Irakut. Muxhahedinët kanë vendosur të mos lindin fëmijë, jeta e tyre nuk është normale, nuk ka qene kurrë për mbi 40 vite. Në Shqipëri ata nuk punojnë, pasi prioritet i tyre është vetëm axhenda politike për lirinë e Iranit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb