Nga: SPARTAK KOKA*
TIRANE- Një ditë më parë ILDKPKI (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave), kallëzoi penalisht në prokurori ish ministrin e Financave Ridvan Boden, i cili aktualisht është deputet i Partisë Demokratike.

Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, subjekti Ridvan Bode dhe pse u njoftua disa herë nga ILDKPKI gjatë proçesit të hetimit administrativ, refuzoi të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin justifikues-ligjor për to.

News24 publikon sot deklaratën e pasurisë për vitin 2013 të bërë nga deputeti Ridvan Bode, ku publikohet e gjithë pasuria e deklaruar nga ana e deputetit dhe familjarëve të tij si dhe vlerat e shtuara në llogaritë bankare. Në disa prej pasurive të deklaruara sipas ILDKPKI, evidentohet mungesa e dokumentave justifikuese.

Më konkretisht në pikën 5 tek përshkrimi i pasurisë dhe burimi i krijimit, Ridvan Bode deklaron se ka një llogari rrjedhëse në Sanpaolo Bank me vlerë rreth 720 mijë lekë për të cilën nuk ka paraqitur dokumenta justifikues.

Tek përshkrimi i detyrimeve evidentohet shlyerja totale e kredisë për shtëpi e marrë në fillim të vitit 2000 nga Enti Kombëtar i banesave. Vlera e shlyer është rreth 1 milionë e 520 mijë lekë të rinj. Për këtë shlyerje monetare sipas ILDKPKI, deputeti Bode nuk ka paraqitur dokument justifikues.

Adela vajza e ish-ministrit të Financave ka deklaruar se ka blerë një makinë tip ‘Audi’ në vlerën e 990 mijë lekëve të rinj, për këtë blerje nuk është paraqitur dokument justifikues.

Sipas deklaratës së pasurisë së vitit 2013, e cila është dokumentuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasuirive, familja Bode zotëron në total një pasuri në vlerë monetare dhe pronë e paluajtshme prej rreth 52 milion lekësh dhe 180 mijë euro.

Kallëzimi është bërë për veprën penale të nenit 257/a/1/2 dhe 287 të Kodit Penal. “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: