Sapo kalojmë portën e vjetër të familjes Zela para na shfaqet një çadër e madhe me mbishkrimin UNHCR brenda së cilës dy të moshuar. Halili dhe Sadetja 77 dhe 70 vjec kanë duruar  të ftohtin e acartë të dimrit si dhe verën mbytëse.

Mjafton vetëm pak minuta brenda saj për të kuptuar se çadra i ngjet më shumë një sere si ato që përdoren për kultivimin e perimeve porse me një ndryshim brenda jetojnë njerëz, e për më tepër dy pleq.

Halili thotë se derën e tij prej shumë muajsh nuk e ka parë asnjë pushtetar vendor a në qendër përjashtuar në ato ditë të para të pas tërmetit kur të gjithë garonin se kush ti vinte më parë në ndihmë.

Njëri nga dy djemtë e Halilit ka gjetur një strehim provizor në një banesë me qera ku ka tërhequr edhe  familjen ndërsa tjetri ndodhet  larg në emigrim. Porse dy të moshuarve nuk u ndahet shprti nga shtëpia e kthyer në gërmadhë që përpak sa nuk I zuri të gjithë nën vete.

Më shumë se tronditja dhe dëmet e tërmetit apo tortura në cadër për 9 muaj Halilin e mundon pasiguria për të nesërmen pasi sic thotë dhe vetë askush nuk di se edhe sa kohë do të vazhdojnë të bëjnë këtë jetë si dhe kur do bëhen me shtëpi të reja për të cilat pak po flitet në fshat.

I moshuari thotë se asnjë nga banorët e fshatit Mazhë e Madhe nuk e do zhvendosjen në shtëpitë dhe pallatet që projekton të ndërtojë qeveria larg trojeve të tyre, të cilat ende skanë nisur.

Spostohemi në një tjetër shtëpi të dëmtuar të fshatit Mazhë ku familjarët kanë patur më shumë fat pasi vec cadrës kanë mundur të sigurojnë edhe një kontenier, jo nga shteti, por falë ndihmës humane të disa vullnetarëve nga Kosova e Shqipëria. Por si në çadër dhe në kontenier ka pak diferencë kur bëhet fjalë për temperatura të larta si ato të korrikut dhe të gushtit.

66- vjecarja Rabie Zela nënë e 3 djemve të pamartuar thotë se e ka harruar dorën e shtetit i cili i ka braktisur prej kohësh në hallin e madh që u ka rënë mbi kokë. Falenderimin e vetëm e ka për vullnetarët shqiptarë dhe disa shoqata bamirëse.

Por si thotë një fjala e urtë ka keq e mos më keq. Në fshat takojmë banorë të shumtë që na drejtojnë tek një shtëpi e rrënuar ku jetojnë dy invalid me probleme të rënduara mendore. Portën me shumë zor na e hap e zonja e shtëpisë, Flutura, 64 vjece e sëmurë kronike që mezi mbahet në këmbë.

Pas tërmetit Familja është strehuar fillimisht në cadër dhe muaj më vonë ka mundur të sigurojë dhe dy kontenierë të vegjël në formë ndihme. Por e zonja e shtëpisë vazhdon të flejë jashtë në të ftohtë e në të nxehtë pasi vuan nga astma.

Me lotë në sy 64 vjecarja rrëfen momentet më dramatike kur I është lutur zotit që tia marrë jetën pasi nuk mund ti shikojë dot fëmijët e saj të sëmurë tek vuajnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb