TIRANË- TIRANË- News 24 siguron dosjen e plotë të prokurorisë për çështjen ‘Bechetti’, pronarit të Tv ‘Agon Channel’. Në dokument sqarohet se prokuroria ka regjistruar procedimin penal në vitin 2014 për veprat penale pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. sipas organit të akuzës ka fakte dhe dyshime serioze se mes disa shoqërive janë kryer transaksione financiare të dyshimta dhe pa logjike ekonomike.

Më konkretisht në drejtim të kompanisë “Kalivaç Green Energji” janë transferuar para nga jashtë vendit, para të cilat dyshohet se vijnë nga veprimtaritë kriminale. Sipas prokurorisë hetimet janë kryer në shoqëritë KGE dhe ‘Energji’, kompani të cilat kanë rritur artificialisht vlerën e investimit. Francesko Becchetti ka qenë aksione kryesor i kompanisë KGE deri ne tetor te vitit 2013 me 20% te aksioneve, ortaku tjetër kryesor ka qenë italiani Mauro De Renzis me këtë përqindje aksionesh. Prokuroria thotë se përfaqësues të shoqërisë “KGE” shpk, kanë zmadhuar vlerën e investimit të kryer realisht në Hidrocentralin e Kalivaçit. Shoqëria shqiptare “Energji” shpk, ka si përfaqësues ligjor shtetasin Mauro De Renzis, i cili zotëron 20 për qind të saj, dhe shoqërinë italiane “Construzioni” shpk, me 80 për qind të kuotave, ku te kjo e fundit pronare kryesore (ortakja që zotëron shumicën e kuotave, prej 99.5 për qind) është shtetasja Liljana Condomitti, e cila rezulton të jetë edhe nëna e shtetasit nën hetim Francesco Becchetti.

Gjithashtu Liljana Condomitti, rezulton të ketë qenë deri në muajin tetor të vitit 2013, një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë “KGE” shpk. Shoqëria “Energji” shpk, ka faturuar në shumë raste për shoqërinë “KGE” shpk punime të pakryera, duke falsifikuar situacionet e punimeve. Gjatë periudhës 2007-2013, “Energji” ka blerë në total 14.5 milionë euro punime nga nënkontraktorët privatë, dhe ja ka shitur ato shoqërisë “KGE” me vlerë dy herë më të lartë, ose 28.6 milionë euro.

Si rrjedhojë, shoqëria “KGE” shpk, ka rritur në mënyrë fiktive kreditimin e TVSH-së dhe vetëm në vitin 2009 ka kërkuar rimbursim për 45 milionë lekë duke mashtruar shtetin”. Një tjetër fakt i provuar që përfshin Becchetti-n është ai i ndërtimit të digës së hidrocentralit. Sipas prokurorëve, kompania ka dorëzuar dokumente sikur ka ndërtuar një digë në vlerën 3.4 milionë euro. Por sipas tyre, diga nuk ekziston dhe nuk është ndërtuar kurrë. Prokurorët thonë se transaksionet e dyshimta për pastrim parash datojnë që në vitin 2007, kur “KGE” dhe “Energji” filluan të kryenin veprime financiare me njëra-tjetrën. Shoqëria “Energji” shpk, nuk ka paguar detyrimet tatimore në shumën mbi 770 milion leke edhe pas marrjes së masave administrative të vendosura nga Drejtoria Rajonale e Tatim Paguesve të Mëdhenj.

Nga hetimi ka rezultuar se përfaqësues të “Veneto Bank” sh.a, kanë lejuar kryerjen e transaksioneve bankare në llogaritë e shoqërisë “Energji”, në kundërshtim me urdhrin e Bllokimit nga ana e tatimeve. Një tjetër manovër sipas Prokurorisë ka qenë ajo e përfaqësuesit ligjor të dy shoqërive, në mënyrë fiktive kanë sajuar një mosmarrëveshje me objekt “shpërblim dëmi”, për zgjidhjen e së cilës i janë drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit në Shqipëri, Në këtë gjykim palët kanë paraqitur dokumente të falsifikuara, Prokurorët thonë se, “konflikti fiktiv u sajua për të shmangur një tjetër konflikt real që Becchetti kishte me bankën e njohur “Deutche Bank”, partneren e tij në koncesionin e Kalivaçit. Sipas grupit hetimor, kjo manovër dëmtoi “Deutche Bank” dhe mundësoi që të qarkullonin shuma të mëdha parash në mënyrë të paligjshme.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb