NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Paketa fiskale e vitit të ardhshëm parashikon disa ndryshime në sistemin e taksimit në vend, të cilat do të ndikojnë në nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2016. Neës 24 disponon draftin final të projekt buxhetit i cili pritet që shumë shpejt të kalojë në komisionet parlamentare për shqyrtim.

Referuar këtyre ndryshimeve në paketën e re fiskale parashikohet rritja e bazës së kontribuuesve për profesionet e lira.

Nëse më parë në këtë kategori, ku futen disa lloje profesionesh si stomatologë, noterë apo arkitektë, paguanin 5700 lekë kontribute për pagën minimale 22 mijë lekë të reja, tashmë do të paguajnë kontribute në bazë të pagës maksimale. Kjo do të thotë gati pesëfishim i kontributeve për këtë kategori. E llogaritur mbi pagën maksimale që është 97 mijë lekë të reja, profesionistët e lirë do të paguajnë kontribute shoqërore rreth 230 mijë lekë të reja. Efekti në buxhetin e shtetit i kësaj takse do të jetë në rritjen e të ardhurave me 1,1 miliardë lekë. Ministria e Financave argumenton se statusi ekonomik i tyre nuk mund të barazohet me të vetëpunësuarit e tjerë që paguajnë kontribute shoqërore mbi nivelin e pagës minimale.

Një tjetër risi është taksimi i makinave të luksit. Për herë të parë cdo qytetarë që posedon një makinë me cilindratë mbi 3000 kubikë, do të taksohet me 91 mijë lekë të reja në vit, kjo shumë përfshinë taksën e regjistrimit të makinës në masën 70 mijë lekë dhe taksën vjetore të makinës luksoze në vlerën e 21 mijë lekëve të reja. Efekti në buxhet i kësaj takse do të jetë sipas parashikimeve të qeverisë në rritje me 400 milionë lekë.

Një tjetër ndryshim përfshinë edhe taksën e pushtetit vendor me reformën e re territoriale. Në këtë taksë do të futen për herë të parë fjetja në hotele me një rritje të çmimit për akomodim 1 euro nata.
Në vitin e ardhshëm do të shtohet edhe taksimi për pasurinë mbi truallin e ndarë në katër kategori sipas rrethit përkatës.

Ndryshimet në taksat nacionale parashikojnë rritje të taksës së primit nga 3% në 10% për të ruajtur nivelin e të ardhurave nga ulja e TVSh. Kjo do të ndikojë në një barrë më të lartë fiskale për kompanitë e sigurimit, gjë e cila do të reflektohet tek qytetarët.

Sikurse ka paralajmëruar një ditë më parë kryeministri, në politikën e re të taksimit mbi biznesit e vogël, tatimpaguesit nga zero në 5 milionë lekë, përjashtohen nga tatim fitimi. Kjo do të përfshijë rreth 72 700 biznese të vogla.

Gjithashtu në paketën e re fiskale, rritet me 11% akciza e prodhimit të birrës në vend dhe ulet me 15% akciza për birrën e importit.

Për produktet e tjera të akcizës kjo taksë nuk ndryshon, siç është ajo e cigareve dhe për duhanin e grirë. Sipas argumentit të qeverisë mosndryshimi në këtë akcizë bëhet për arsye të mos ndikimit në uljen e importit të cigareve.

Në bazë të këtyre ndryshimeve efekti në total në buxhetin e vitit të ardhshëm i paketës së re fiskale rezulton në 2.6 miliardë lekë më shumë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: