Kukësi po vijon me qetësi përgatitjet për sezonin e ri. Trajneri, Shpëtim Duro, kërkon që në nisje të sezonit ta ketë sa më të kompletuar ekipin dhe për këtë ka marrë premtimin nga presidenti Safeti Gjici, i cili pritet t’i bëjë 2-3 dhurata.

valdet rama

Pra, pritet të afrohen të tjerë futbollistë, me qëllim përforcimin e grupit. Një prej tyre është Valdet Rama dhe, siç mëson gazeta, me të po negocion drejtori sportiv, Nderim Nexhipi. Me urdhër të presidentit Safet Gjici, ai ka shkuar në Gjermani për të takuar dhe bindur Ramën të kthehet. Me sa duket, nuk janë vetëm arsyet familjare ato që e kanë çuar Nexhipin në Gjermani.

Palët janë duke negociuar për kontratën e sezonit të ri dhe drejtori Nexhipi i ka dalë garant ish-lojtarit të Kombëtares për gjithçka, duke nisur nga bonuset, koha, paga dhe të gjitha elementet e tjera. Nga sa mësohet, 31- vjeçari sikur është bindur, por ende nuk mund të thuhet me siguri se ai do të kthehet te Kukësi. Drejtuesit e klubit verilindor janë të bindur se do ta kenë sërish në skuadër këtë futbollist. Sipas tyre, ai së shpejti do të jetë në Tiranë dhe do t’i bashkohet Kukësit për fazën 10-ditore, që do të zhvillojë në Mavrovë.

nexhipi rama

Rama iu bashkua Kukësit në janar të këtij viti, ishte një afrim “big” për verilindorët paçka se kishte pak më tepër se një vit pa ekip. Mesfushori-sulmues luajti 12 takime në kampionat dhe shënoi 2 gola, por ishte ndoshta lojtari më i rrezikshëm në manovrën sulmuese të Kukësit.

Krisja e tij me presidentin Safet Gjici nisi pas Kupave të Europës, sepse Rama duhej të merrte një bonus prej 5 mijë eurosh si shpërblim për fitimin e Kupës së Shqipërisë. Bonus që nuk e mori në kohë dhe kjo e fyeu lojtarin, ndaj vendosi të mos kthehej më dhe këtë vendim ia bëri të ditur drejtorit Nderim Nexhipi. Për hir të së vërtetës, Rama është një futbollist që bënte diferencën në kampionatin shqiptar, kjo ishte e dukshme, ndaj dhe drejtuesit e Kukësit po ngulmojnë për ta kthyer.

SENATORËT – Pa u mbyllur sezoni i fundit, 11 futbollistë të Kukësit bënë një kërkesë në Federatë për të mos e rinovuar automatikisht kontratën me këtë ekip, një procedurë e nevojshme në të tilla raste. Shumë prej tyre u larguan para dhe pas Kupave të Europës, si Melo, Roxher, Rexhinaldo, Rrumbullaku etj.

Fati i tyre u vendos shpejt, ndërsa për disa të tjerë nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Dhe falja është për disa nga senatorët e ekipit, si Besar Musolli, kapiteni Ylli Shameti dhe mbrojtësi Ardjan Cuculi. Musolli ka dalë në stërvitje me ekipin, ndërsa dy qendërmbrojtësit Shameti dhe Cuculi nuk e kanë bërë këtë gjë. Shameti në fakt ka qenë me leje deri ditën e mërkurë.

Presidenti Gjici nuk ka diskutuar ende me këta tre futbollistë me përvojë, megjithatë mësohet se brenda javës pritet të takohet me ta. Trajneri Shpëtim Duro i dëshiron me çdo kusht në ekip dhe me shumë gjasa të tre do ta vazhdojnë aventurën me Kukësin, por më parë duhet të gjendet gjuha e përbashkët për kontratën. Largimi i fundit zyrtar është ai i portierit Stivi Frashëri, një lajm që gazeta e ka bërë të ditur prej kohësh.

Ende nuk është vendosur nëse porta do t’i besohet Avdylit apo do të kërkohet një portier tjetër. Kjo gjë do të vendoset pas minifazës në Mavrovë. Drejtuesit e Kukësit shfaqën interes për Enea Koliçin ditët e fundit, por gjithçka mbeti aty./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb