Ende ka shumë mister rreth figurës së diktatorit dhe bashkëshortes së tij. Kur Enver Hoxha u nda nga kjo jetë, vendin e tij e zuri Ramiz Alia, ndërkohë që Nexhmije Hoxha vazhdonte të ruante dhe të mbronte vendimet e të shoqit.

Por vendimi i saj për të pritur humanisten Nënë Terezë në Tiranë, kur në vitin 1973, i shoqi, Enver Hoxha, kishte refuzuar pjesëmarrjen e saj në varrimin e së ëmës, binte ndesh me besnikërinë ndaj vendimeve të diktatorit.

Nene Tereza Nexhmije Hoxha 1200x718
Nene Tereza Nexhmije Hoxha 1200×718

Çfarë e shtyu të venë e diktatorit që të priste me nderime, madje të shtronte dhe një drekë në shtëpinë e saj për Nënë Terezën? Ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, prof. dr. Isuf Kalo, na ofron një këndvështrim ndoshta të panjohur të ngjarjeve.

Në librin e tij me kujtime dhe reflektime “BLLOKU: Rrëfimi i mjekut personal të Enver Hoxhës”, botim i “UET Press”, ai jo vetëm na shuan kuriozitetin mbi vizitën dhe përballjen e dy grave të fuqishme, por edhe një analizë të gjendjes shpirtërore të Nexhmije Hoxhës.

A ishte ajo vërtet ateiste e betuar.

A kishte brenda saj një grimë ndrojeje ndaj supersticioneve, shenjave, asaj që të tjerët e konsideronin si hyjnore, por që ajo e kishte mohuar gjatë gjithë jetës?

Profesor Kalo ofron më shumë në këtë prerje psikologjike…

64382698 1343421232482292 8459932915566903296 N
64382698 1343421232482292 8459932915566903296 N

ISUF KALO

DIPLOMACI APO BESËTYTNI?

Nuk di pse mjegullisht më ishte krijuar ndjesia se Nexhmija i besonte dhe i trembej “tersit”. Ajo vetë nuk e tha asnjëherë këtë me zë të lartë, por e kam hamendësuar nga mënyra si i reagonte mimika kur dëgjonte lajme të pakëndshme, ndodhira, shenja, parashikime dhe paralajmërime për pritshmëri të padëshirueshme. Sidomos po të binte fjala për komplikacione e rreziqe shëndetësore të Enverit.

Ma pati ndërprerë disa herë me nervozizëm fjalën për të mos vazhduar më tej me to. Të kishte supersticione vallë një komuniste ateiste e përbetuar si ajo?! Me sa kam ndier intuitivisht, them se po. A është për t’u habitur? Cili prej nesh vallë nuk ka ndier të tilla? Cili mund të mburret se ndihet aq i fuqishëm sa të përballet, të pengojë dhe të ndryshojë vendimet kapricioze të fatit të keq? A mund të ishte edhe e “gjithëfuqishmja” Nexhmije supersticioze?

Pavarësisht forcës vetëmbrojtëse të demonstruar publikisht në intervista dhe në përballimin e gjyqit postkomunist, të ashtuquajtur “i kafeve”, ajo, në konstruktin shpirtëror, nuk ishte e çeliktë. Kishte edhe ajo pjesë të epshme dhe dobësi të natyrshme njerëzore. Si shumë gra të tjera, edhe ajo në ndjesinë ndaj supersticioneve nuk bënte përjashtim. Edhe pse e gjykuar nga të tjerët së jashtmi si “fatmadhe”, nuk linte përshtypjen se ndihej e plotfuqishme, me të ardhme të sigurt. Madje dukej sikur, herë pas here, e kaplonin dallgë mosbesimi ndaj lumturisë së saj.

30652214 1684892464883213 5592343209494708224 N
30652214 1684892464883213 5592343209494708224 N

Në dialog intim me veten, ishte hezituese dhe e thyeshme, si çdo femër e grua që, pasi pati fillimisht një fat të madh të paimagjinuar në familje, në karrierë e në jetë, i trembej instinktivisht kapriçiove të mëpasme të tij. Trembej se mos ai, befas, një ditë ia rimerrte gjithçka që i kish dhuruar dhe ia kthente kundër me të këqija. Prandaj nuk çuditesha nëse ajo, heshturazi, me ose pa vetëdije, lutej që kjo të mos i ndodhte. Mirëpo, në fakt, siç u pa më pas, gjithsesi i ndodhi. Pasi vdekja ia mori të shoqin dhe e la atë dhe fëmijët në dorën e pasardhësit, ankthi i pasigurisë, edhe pse i pashprehur, e brente më shumë se më parë.

Njerëzit e zakonshëm, në rrethana të tilla shpirtërore, edhe pa qenë besimtarë praktikantë të ndonjë feje, ndodh që luten te një fuqi qiellore apo mbinjerëzore që t’i mbrojë apo t’i shpëtojë. Por jo komunistët e betuar. Ata pretendonin se besonin te vetvetja. Megjithatë, askush nuk e di se çfarë ata realisht ndiejnë, thonë e bëjnë në vetmi, kur janë vetë viktimë e sfidave të fatit dhe kur nuk i shohin e as nuk i dëgjojnë të tjerët.

Do të ishte abuzim pa fakte po të pretendoja me bindje se Nexhmijen, në atë periudhë vetmie dhe rritjeje progresive të moshës, kur iu dobësuan disi fuqitë fizike e shpirtërore, kur iu mjegulluan ëndrrat dhe shpresat që kishte pasur dikur në rini në mënyrë të pavetëdijshme, dialogonte në momente të vështira fshehtas me mendje e pa zë me atë që e quajmë fuqi hyjnore, apo Zot, sepse fundja idealet nuk janë prej platini, ari apo diamanti.

Edhe ato ndryshken, vjetrohen, mpaken ose vyshken e avullojnë. Mund të them se, fillimisht kam dyshuar (mbase jo vetëm unë) te trishtimi që lexohej herë pas here në fytyrën e në vështrimin e saj. Dhe te një nervozizëm i përmbajtur. E kam përfytyruar që ajo heshturazi e fshehurazi lutej e i kërkonte fatit që të mos e braktiste.

Jo aq për veten e saj, sesa për fëmijët dhe veprën që i la pas Enveri. Ajo duhej t’i mbante ato brenda vetes, t’i mbronte nga fatkeqësitë e terset e hamendësuara, që ajo i parashihte ose parandiente sapo shfaqeshin në horizont. Fati dhe lumturia e saj kishin peshë të rëndë.

Ishte e vështirë t’i mbaje ato gjithë jetën mbi supe të pacenuara. Peshën atyre ua jepnin mëkatet e regjimit; gjaku i derdhur, djersa dhe vuajtjet e përjetuara nga jo pak njerëz me dhe pa të drejtë, me dhe pa dhunë. Ishin mëkate të përziera me mirësi, për të cilat nuk ishte ajo ideatorja, as autorja kryesore, por që nuk ishte në to fare pa pjesë.

Nene Tereza Gjate Vizites Ne Shqiperi 2 E1350641417331
Nene Tereza Gjate Vizites Ne Shqiperi 2 E1350641417331

Prandaj ideja apo dëshira e ndonjë mrekullie që t’ia ruante dhe rikthente fatin dhe qetësinë e dikurshme familjes mund t’i jetë forcuar asaj kur ka dëgjuar për mrekullitë e Teqesë së Dervish Hatixhesë në Tiranë, e vetmja e tillë, e ruajtur çuditërisht e pacenuar edhe në valën e prishjes së tempujve të fesë. Ajo teqe vizitohet ende tani nga njerëz të zakonshëm, por dhe nga personalitete të shquar, biznesmenë të suksesshëm, të cilët besojnë tek ai vend i shenjtë, i aftë t’i mbrojë nga tersi dhe fatkeqësitë.

Nënë Rukija, tashmë 90-vjeçare, ka mbetur e fundit nga familja mrekullibërëse, ku Hatixhe Skënderi ishte e para që do të shpëtonte nga vdekja të sëmurë me kolerë. Ajo është shprehur së fundmi në shtyp se, përveç udhëheqësve më të lartë aktualë të vendit, teqenë e vizitonte herë pas here një punëtore që i shërbente Nexhmije Hoxhës, tashmë 98-vjeçare.

Nënë Rukija u ka thënë gazetarëve se ajo grua, me porosi të Nexhmijes, ndizte qirinj aty sa herë që vinte dhe i çonte të fala e falënderime nga Nexhmija, për ruajtjen e asaj balte të shenjtë. Nuk e di me siguri se sa e vërtetë apo e sajuar është kjo histori, por sado e çuditshme, paradoksale apo e pavërtetë që mund të duket, e kam menduar dhe dyshuar mundësinë e një thyerjeje të brendshme të fshehtë të ateizmit ideologjik në mendjen dhe shpirtin e Nexhmijes.

Ky hamendeshim më lindi për herë të parë kur, në gusht të vitit 1989, Nexhmija priti në shtëpinë saj, për vizitë e pastaj për drekë, një grua tjetër të shquar shqiptare, Anjeza Gonxhe Bojaxhiun, të famshmen Nënë Terezë. Vizita dhe takimi i tyre, në pamje të parë, u shit nga shtypi si akt protokollar. Ftesën bamirëses dhe humanistes me famë botërore ia kish bërë zyrtarisht Nexhmija, e cila, që prej vitit 1988, ishte në funksionin e kryetares së Frontit Demokratik Shqiptar.

Gjatë vizitave të Nënë Terezës në vende të huaja, ajo, zakonisht, pritej, së pari nga presidentët ose kryeministrat. Mirëpo, ne ishim ende në monizëm dhe vend i deklaruar ateist, prandaj, me sa duket, Ramizi e shmangu pritjen e saj dhe ia kaloi Nexhmijes. Nga ana tjetër, ai ndodhej nën presionin e kërkesës për të nënshkruar Kartën e Europiane të Helsinkit, e cila sa ishte gjallë Enveri u refuzua si e papranueshme nga qeveria shqiptare. Arsyeja e refuzimit kishte qenë kërkesa e sanksionuar në kartë për zbatimin e detyrueshëm të të drejtave universale të njeriut.

Ndërkohë, e njëjta kërkesë lidhur me të drejtat i ishte vënë si parakusht nga SHBA-ja ambasadorit tonë të atëhershëm pranë OKB-së në Nju Jork, Bashkim Pitarka, i ngarkuar nga qeveria jonë për bisedime në kuadrin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në. Ramizit i duhej t’u premtonte atyre dhe bashkësisë europiane se do të zbatonte kërkesat e kartës.

Unnamed3

Por si mund të besohej serioziteti i tij nga Europa dhe Amerika kur një humanisteje dhe bamirëseje të njohur në të gjithë botën i mohohej prej disa vitesh me radhë një e drejtë aq e thjeshtë, e drejta njerëzore, që të lejohej të vinte në Shqipëri për të vizituar varrin e nënës së saj e për të vendosur një tufë lule mbi të? Mirëpo, lejen e ardhjes së saj në Shqipëri e kishte refuzuar më parë, në vitin 1973, vetë Enver Hoxha.

Po ashtu, edhe ndalimin e veprimtarisë së institucioneve fetare dhe shpalljen e Shqipërisë si vendi i parë e i vetëm ateist në botë.

Ateizmi shtetëror ndodhi në kohën që vendoste dhe komandonte Enveri, pra, Ramizi shtirej sikur nuk kishte fare gisht e përgjegjësi në to. Por, thotë Moikom Zeqo, “historia na gjykon jo vetëm kur flasim, por edhe atëherë kur heshtim”. Të njëjtën thotë Molieri “për ato që bëjmë apo nuk bëjmë.

Përgjegjësi zero nuk ka”. Ramizi e përcolli sfidën te Nexhmija. Gjithçka i takonte kohës së Enverit dhe i vinte për mbarë t’ia faturonte asaj. Fundja le t’i përtypte e gëlltiste ajo qëndrimet e gabuara të së shkuarës. Ramizi ia pat sugjeruar Nexhmijes që të ftonte Nënë Terezën, si grua, ndoshta edhe duke ia “shitur” asaj si ndihmë për të promovuar e vizualizuar peshën politike të saj. Misteri është në tjetër sens, si ishte e mundur që e pranoi ajo?

Si miratoi ajo të bënte diçka që e kish kundërshtuar dhe refuzuar me këmbëngulje Enveri? Pati droje që ta kundërshtonte Ramizin apo ai sugjerim i tij i erdhi për shtat si i dëshiruar edhe prej vetë asaj? Nënë Tereza pati kërkuar të vinte në Shqipëri kur i vdiq e ëma, në vitin 1973, ndërkohë që Enveri ishte gjallë.

Pasi ai ia refuzoi kërkesën, pati ndërhyrje nga shumë personalitete të shquara botërore tek udhëheqja jonë për ta lejuar, por gjithsesi ajo nuk u pranua. Shqipëria në ato vite ishte përfshirë nga vala dhe ethet e ateizmit, ose më saktë e antiteizmit. U ndalua feja dhe veprimtaria e institucioneve dhe e fetarëve që e predikonin. Megjithatë, në fund të fundit, ftesa këtë herë u mirëprit dhe Nënë Tereza erdhi. Për ta nderuar maksimalisht shenjtoren e ardhshme shqiptare Nexhmija i doli vetë përpara në oborr për ta pritur bashkë me të bijën, Pranverën, gjest që ajo nuk e pati bërë as për miq të huaj të nivelit të lartë.

Po priste me respekt të tillë dikë, e cila kishte qenë kategorikisht e padëshirueshme nga i shoqi.

Ai, për sa kohë ishte gjallë, e pati refuzuar kërkesën e mision ares për ardhjen jo vetëm në shtëpinë e tij, por as në Shqipëri. Tani Enveri po i shikonte syshqyer i habitur që nga fotografia në murin e dhomës ku ato ishin ulur. Dhe mbase nuk po u besonte syve.

Pjimage 2021 07 23t094918.381
Pjimage 2021 07 23t094918.381

Cila të ketë qenë arsyeja e parezistueshme që e detyroi Nexhmijen të shkelte, për herë të parë, dëshirën dhe vendimin e të shoqit, idhullit të jetës së saj? Të dyja gratë e famshme u ulën përballë dhe nisën të bisedonin miqësisht. Njëra ateiste, tjetra me kryqin e Krishtit në qafë. Njëra adhuruese dhe shërbyese e devotshme e Zotit, tjetra deri atë ditë në armiqësi të papajtueshme me të.

Një ateiste e deklaruar dhe militante e luftës së klasave po priste me nderime, me bujari e përzemërsi dhe emocion një misionare të fesë, të paqes, të dashurisë dhe një humaniste të përkushtuar. Ndonëse e deklaruar si ateiste, Nexhmija tregoi respekt jo të zakontë ndaj mysafires me gjeste deri përulësie, që nuk i pati bërë kurrë ndonjëherë në jetën e saj.

Ajo u përkul dhe i puthi dorën Nënë Terezës. Kjo kësaj radhe pati si qëllim kryesor të vizitës marrjen e lejes nga autoritetet shqiptare të hapte një degë të fondacionit bamirës dhe një shkollë për misionaret e saj në Shqipëri, si në shumë vende të botës. Por Ramiz Alia nuk ia plotësoi dëshirën.

Në vend të kësaj, ai kishte porositur që asaj t’i ofrohej pritje sa më e ngrohtë dhe e përzemërt, si një bijë e famshme e Shqipërisë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb