Që Neymar dëshiron të rikthehet te Barcelona ky nuk është më një sekret, sulmuesi brazilian e ka shprehur publikisht dëshirën e tij për tu rikthyer në “shtëpi” pas një aventure dy vjeçare në Paris. Përballë këtij fakti edhe sheiku Al-Khelaifi duket i gatshëm të bëjë pak skonto për kartonin e Neymar. Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, drejtori sportiv i PSG, Leonardo ka vendosur të ul çmimin e brazilianit, nga 300 mln euro në 222 milion euro, e njëjta shifër që PSG shpenzoi për ta blerë nga Barcelona dy sezone më parë.
E vetmja gjë e sigurt në këtë çështje që po trazon jo pak merkaton është fakti që sulmuesi dëshiron të rikthehet në “Camp Nou”, për këtë është i sigurt edhe zëvendës presidenti i Barcelonës, Jordi Cardoner: “Është e qartë se Neymar dëshiron të rikthehet te Barcelona por ata që po merren me këtë çështje nuk e dinë nëse kjo tratative do të mbyllet me sukses”.
As drejtuesit e klubit të Barçës nuk janë kundër kësaj ideje, thjeshtë Neymar këtë herë duhet të pranoj kushtet e tyre. Fillimisht duhet të heq dorë nga paga që përfiton aktualisht te PSG, 30 milion euro, klubi “blaugrana” i ofron maksimumi 24 milion euro. Neymar nuk është aspak kundër uljes së pagës, për të e rëndësishme në këto momente të vështira është të rikthehet aty ku ndihet si në “shtëpi”, në Barcelonë.
(BalkanWeb)