TIRANË

Policia vijon kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID – 19.

Tre raste të shkeljes së protokolleve të sigurisë janë evidentuar nga policia dhe janë ndëshkuar me nga 3.000.000 lekë gjobë dy shtetas dhe me 1.000.000 lekë një tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, kanë konstatuar dy ambiente në të cilët ushtrohej aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Shërbimet e Policisë u kanë vendosur pronarëve të subjekteve, shtetasve A. C. dhe E. S., masën administrative 3.000.000 lekë secilit.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 i kanë vendosur masën administrative 1.000.000 lekë, shtetasit S. L., pronar i një restoranti, pasi u konstatua duke zhvilluar ceremoni festive duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb