Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje mbajti seancën e rregullt të 97-të me anë të video-konferencës me disa pika në rendin e ditës, në kuadër të së cilave u forcuan kontrollet për masat ekzistuese kundër koronavirusit (COVID-19).

Sipas një njoftimi të qeverisë, në seancë, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive në lidhje me mbrojtjen e popullatës nga sëmundja infektive COVID-19 dhe parandalimin e përhapjes së saj, anëtarët e qeverisë miratuan disa përfundime dhe vendime.

“Deri më 15 gusht, të gjitha objektet gastronomike të regjistruara për festime lejohen të punojnë në ambiente të mbyllura, vetëm në përputhje me masat kundër COVID-19, me deri në 40 për qind të kapacitetit dhe një maksimum prej 250 mysafirësh, sipas protokolleve ekzistuese në fuqi. Për klubet e natës, kabaretë, baret, ndalimi i punës në pjesën e mbyllur të ndërtesës mbetet në fuqi, përveç në pjesën e hapur (tarracat) me 50 për qind të kapacitetit të hapësirës dhe një numër të kufizuar deri në 1.000 vizitorë, sipas protokolleve ekzistuese”, thuhet në njoftim.

“Nga data 16 gusht 2021, puna dhe organizimi i çdo lloji të ngjarjeve në ambient të mbyllur në të gjitha objektet gastronomike (dhe kafene), përfshirë festimet në objektet gastronomike të regjistruara për festime ose lloje të tjera të objekteve të tipit të mbyllur, janë plotësisht të ndaluara. Nga 16 gushti 2021, hyn në fuqi konfirmimi i detyrueshëm për imunizimin, të paktën me dozën e parë, që do të kontrollohet në hyrje të çdo lloj objekti, përfshirë objektet gastronomike, ku ka më shumë më shumë se 30 persona të pranishëm, për çdo ngjarje (festim, koncert, seminar, trajnim, punëtori, konferencë, ngjarje kulturore ose sportive)”, njoftohet më tej.

Qeveria tha se posedimi i certifikatës së vaksinimit me të paktën dozën e parë vlen për personat mbi 18 vjeç.

Gjithashtu theksohet se shërbimet kompetente të inspektimit janë të detyruara të intensifikojnë kontrollet në periudhën e ardhshme në mënyrë që të zbatohen dhe respektohen në mënyrë rigoroze rekomandimet parandaluese, masat e përkohshme dhe masat e urdhëruara në lidhje me COVID-19.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb