Një 42-vjeçar është ndaluar në Rinas, ndërsa tentonte të fuste kontrabandë në vendin tonë 14 ora dore luksoze, si dhe bizhuteri floriri.

Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje, bazuar në analizën e riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, bagazhet e shtetasit K. H.

Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unazë dhe vathë) dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: