Ata pohuan se studimi online në gjysmën e parë të vitit ishte gati-gati një dështim, pasi nuk mund të studiohet në ato kushte, sidomos lëndët me punë laboratorike, ndaj kërkuan kthimin në auditore, të paktën për të zhvilluar seminare dhe punë praktike në laborator. Një pjesë e tyre thoshin se nuk kishin pajisje teknologjike për të zhvilluar studimet online.

Forcat e rendit publik kërkuan mbylljen e protestës, duke kujtuar me megafon se studentët ishin tubuar në kundërshtim me ligjet përkatëse të pandemisë. Ministrja e re e arsimit Evis Kushi tha se “ky ishte një vendim i vështirë, por nevojitet një sakrificë nga të gjithë”. Zonja Kushi shtoi se “studimi online është e vetmja mënyrë për t’ia dalë mbanë përballë sfidave të panjohura të pandemisë”.

Opozita akuzoi sërish qeverinë për keqmenaxhim të pandemisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se vendimi i zyrtarëve për studimin online ishte tepër i vonuar dhe nuk u la kohë studentëve të shmangnin pagesat për konviktet dhe detyrime të tjera.

Muaji tetor u mbyll me një përkeqësim të ndjeshëm të pandemisë së koronavirusit, me një shtim të fortë të infektimeve të reja dhe të viktimave. Gjatë 24 orëve të fundit të dielën u regjistrua shifra më e lartë e vdekjeve, me 9 persona që kanë humbur jetën, e po ashtu dhe niveli më i lartë i të infektuarve të rinj. Përhapja e koronavirusit po merr një shtrirje gjithnjë e më të madhe. Gjatë tetorit u regjistruan 7396 të infektuar, ose 76 përqind më shumë krahasuar me muajin shtator, kur pati 4200 të prekur./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb