Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi nga Asambleja e selisë rozë ka bërë një analizë të anëtarësisë në këtë parti.

Gjatë fjalës së tij, Pëllumbi theksoi se anëtarë të PS-së janë 112.917 anëtarë. Mes të tjerash ai theksoi se numri i grave anëtare në PS është shtuar nga viti në vit, ndërsa theksoi se qarqet Vlorë, Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Lezhë kanë plotësuar kuotat.

Ndër të tjera Pëllumbi nuk harroi pa përmendur edhe patronazhistët, ndërsa vlerësoi rolin e tyre për zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se.

“Me lejoni qe në mënyrë të përmbledhur te jap nje informacion mbi gjendjen dhe drejtimet kryesore të veprimtarisë së ngjeshur të strukturave vendore të partisë gjatë vitit të kaluar dhe muajve të këtij viti për forcimin organizativ të tyre për të arritur objektivin kryesor, fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Së pari, po jap disa të dhëna për anëtarësinë e partisë dhe punen për përmirësimin e tyre.
Aktualisht Partia Socialiste numëron në rradhët e saj 112.917 anëtarë, nga të cilët 107977 janë në 61 bashkitë e vendit dhe 4940 jane në Degët tona ne Greqi e Itali. Anëtarësia e partisë ka regjistrin e vet elektronik, i cili këto dy vjet është përmirësuar e pasuruar me informacion, duke hedhur të dhëna më të plota e të sakta për anëtarësinë e partisë, për strukturat vendore,si dhe në shkallë vendi. Nga ky regjistër janë nxjerrë të dhënat që po paraqes në këtë informacion.

Në efektivin e partisë 30050 janë shoqe, të cilat përbëjnë 27.8 përqind të anëtarësisë nga 26.7 përqind vitin e kaluar. Aktualisht janë 1678 shoqe më shumë se 2019. Në qarqet Vlorë, Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Lezhë është plotësuar detyrimi statutor për të pasur mbi 30 % shoqe në anëtarësinë e tyre.
Niveli arsimor i anëtarësisë së partisë ka ardhur në rritje nga viti në vit. Partia Socialiste aktualisht ka 34.8 % të anëtarësisë me arsim të lartë nga 31% që kishte në fund të vitit 2019. Qarku i Tiranë ka % më të lartë me 50% të anëtarësisë, Gjirokastra 36%, Durrsi, Vlora, Elbasani me 33%, si dhe Fieri me 31%.

Me arsim të mesëm janë 43.6% e anëtarësisë nga 47% që zinin një vit më parë,tregues qe ka ardhur në permirësim. Në total sot pra kemi 78.4 përqind të anëtarësisë së partisë me arësim të lartë dhe të mesëm. Në të gjithë qarqet por edhe ne kuadër të bashkive, niveli arsimor i anëtarësisë së partisë është dukshëm mbi nivelin arsimor të popullsisë aktive në shkallë vendi.
Raporti anëtar partie/zgjedhës në vitet e fundit ka përmirësim të vazhdueshëm dhe për vitin 2020 eshte 1 me 31.7.

Ne lidhje me anëtarësimet e reja mbetet detyrë aktuale dhe për këtë vit, si një nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së strukturave të partisë, një detyrë për çdo OS, për secilin anëtar partie dhe kjo Asamble do të dalë dhe me një vendim te vecante për këtë qellim.
Së dyti, në lidhje me rolin në rritje të Organizatave Socialiste.
Në kuadër të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 funksionuan 5042 Organizata Socialiste. Krahasuar me tri zgjedhjet e mëparshme në parti, 2015, 2017 dhe 2019, numri i tyre është shtuar respektivisht me 30, 40 dhe 7 OS, pra rezulton se ka një qëndrueshmëri në ndërtimin e strukturës organizative të njësisë bazë të partisë, e cila ka siguruar funksionim normal organizativ dhe një veprimtari optimale elektorale.

E veçanta e kësaj periudhe ka qënë se Organizatat Socialiste janë drejtuar nga 2 bashkëkryetarë, pra në krye të çdo OS kanë qënë një shoqe dhe një shok. Implementimi i kësaj risie në drejtimin e OS pati vështirësitë e pengesat e veta të fillimit,megjithë procesi eci dhe deri në Kongresin e Partisë të 29 shkurtit ishin zgjedhur 2526 shoqe kryetare të OS gati më shumë se gjysma. Në këtë periudhë u punua mirë në qarqet Elbasan, Berat, Fier dhe Lezhë. Me rivlerësimin e zbatimit të kësaj detyre statutore të vendosur nga Kongresi, me një bashkëpunim më të afët me FGS-te e bashkive, brenda pak muajve u arrit që me pak përjashtime OS të drejtohen nga 2 bashkëkryetarët. Kjo flet për ndryshime të ndjeshme në përbërjen e drejtuesve të OS, për rritjen e peshës së grave e të vajzave në drejtimin e strukturës bazë të Partisë Socialiste. Ato aktualisht përbëjnë 47 përqind te kryetarëve të OS. Rritje kanë edhe treguesit moshorë e arsimorë. 38 përqind e bashkëkryetarëve janë të moshës deri 30 vjeç, kurse me arsim të lartë janë 56 përqind e tyre. Rritje ka edhe në nivelin politiko-organizativ të drejtuesve të OS.

Së treti, është rritur roli i KS të NJA dhe AS të bashkive.
Në shkallë vendi janë 417 Këshilla Socialiste, në përbërje të të cilëve hyjnë edhe KS te ngritura në qytetet e mëdha që janë të ndarë në rajone. Në çdo bashki ka Asamble Socialiste të bashkisë dhe në te 12 qarqet, Këshill Koordinues të Partisë. Në përbërje të këtyre organeve janë mbi 9540 kryetarë të Organizatave Socialiste, 417 kryetarë të KS, 1136 këshilltarë bashkiakë, 1012 delegatë të Kongresit, të zgjedhurit në drejtimin e forumeve tona te FRES dhe FGSSH etj që përbëjnë një forcë të madhe ndikuese në shtyrjen para të politikave të Partisë Socialiste. Gjatë periudhës për të cilën informohet patëm dhe disa vështirësi, sidomos të krijuara nga pandemia, që kërkuan veçori të punës së strukturave vendore. U arrit një gërshetim si asnjëherë më parë i kontakteve e komunikimeve tradicionale me veprimtaritë online, një përvojë e re që do të na vlejë për veprimtarinë tonë në të ardhmen.

Anëtarësia e partisë u thirr për të vlerësuar veprimtarinë e të zgjedhurve të saj në Platformat e PS “Vlerëso deputetin tënd”, “Vlerëso qeverinë tënde”, “Vlerëso kryetarin e bashkisë”. Procesi në tërësinë e vet pati vlerësimin e anëtarësisë së partisë.

Anëtarësia aktive e partisë së bashku me përkrahësit më me ndikim në komunitete e të aftë në proceset elektorale u ngarkuan me detyrën e patronazhistit, të cilët përbënë bazën e piramidës së strukturës elektorale të partisë. Ata përballuan një superngarkesë elektorale me kontaktet, sqarimet, komunikimet e tyre me të patronazhuarit, e cila qe ndër faktorët e rëndësishëm të fitores. Në këto zgjedhje, për gjendjen e veçantë që u krijua, veprimtaria e tyre pati përkrahjen dhe mori vlerësimin maksimal nga Kryetari i Partisë, duke hedhur poshtë e çvlerësuar etiketimet e pamerituara që u bënë nga kundërshtarët tanë politikë.

Anëtarëve të partisë por dhe përkrahësve tane, ju drejtua publikisht kërkesa për të aplikuar në platformën tonë, një risi kjo, “Deputeti që duam”, duke treguar për një politikë më të hapur nga forca jonë politike.Një numër jo i vogël besuan dhe aplikuan si dhe disa prej tyre u përzgjodhën për të dhënë kontribut në skuadrën garuese. Krahas atyre që aplikuan në këtë platformë, pati edhe disa personaliteteve që spikatën për vlerat profesionale e qytetare apo në përballimin e vështirësive të vitit të kaluar që u përzgjodhën gjithashtu për të qënë pjesë e kësaj gare, të cilët patën miratimin dhe përkrahjen e elektoratit të majtë si pjese e rendesishme e fitores sonë të 25 Prillit.”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb