Gjatë konferencës së ditës së sotme me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, këngëtarja Dua Lipa nuk ka zbuluar emrat e këngëtarëve ndërkombëtare që do të marrin pjesë në “Sunny Hill Festival” që do të mbahet verën e vitit 2022 duke premtuar surpriza.

“Do të kemi artistë internacionale dhe të vendit, ajo është një pjesë shumë e madhe e festivalit në përgjithshmëri. Kush po vjen sivjet nuk mundem t’ju tregoj. Do ketë surpriza”- u shpreh këngëtarja.

E pyetur nëse ka menduar të bësh pushime në Shqipëri dhe të xhirojë një klip ajo u shpreh se ndoshta do e zgjasë këtë vizitë që të shikojë disa vende në Shqipëri.

Dua Lipa u shpreh po ashtu se dëshiron të bëjë një këngë shqiptare duke përfshirë modernen me tradicionalen.

“Unë kam shumë këngë në gjuhën shqipe që i dua. Do kisha qejf të bëja një cover, që ti dëgjojnë shumë njerëz. Nuk e di a jam mjaft e aftë të shkruaj këngë shqip. E kam ëndërr të mëdha edhe të ndryshojmë stigmën ndaj Kosovës edhe Shqipërisë, edhe neve si shqiptarë. Ta shohin njerëzit nëpër botë që jemi kreativ, punojmë fort dhe ka të rinj. E kam menduar atë gjë. Ndoshta një këngë të vjetër shqiptare. Duhet të punoj ende nëse ka mundësi të bashkoj diçka që është edhe moderne edhe tradicionale shqiptare”- u shpreh ajo.

Këngëtarja ka qenë e rezervuar në zbulimin e detajeve të Sunny Hill Festival i cili pritet të zgjasë për 4 ditë me radhë në kryeqytet vitin e ardhshëm dhe po ashtu ka lënë surprizë edhe datën e koncertit të saj në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb