Nga auditori i Universitetit në qelitë e burgut. Kjo është historia e Mirelës, (emër i ndryshuar) e cila është dënuar për trafik qëniesh njerëzore. Vajza thotë se është penduar për krimin e kryer dhe shpreson ti rikthehet jetës normale, pasi të kryejë dënimin e drejtësisë.

Brenda qelive ajo rrëfen se ka reflektuar mbi gabimet e së shkuarës dhe është bërë me e fortë.
“Mendoj se kam mësuar gjëra, besoj se do të mësoj akoma me shumë se kam jetën përpara. Mendoj se jam bërë më e fortë”, pohon vajza. E reja iu bën thirrje bashkëmoshatarëve, që të mos bëjnë të njëjtin gabim si ajo, duke rendur pas pasurimit të shpejtë…. “Jo çdo gjë është leku. Duhet të punojnë shumë. Më mirë bukë e djathë, sesa një jetë luksi”, shton ajo.

Mirela dhe bashkëvuajteset e saj, në burgun 325 në Ali Demi u vizituan në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut nga një grup gjyqtaresh e prokuroresh të Apelit. Për herë të parë pas 21 vitesh karrierë në gjyqësor, Edlira Petri e cila ka trokitur çekicin më qindra herë për të dhënë drejtësi, kapërceu pragun e burgut 325 në Ali Demi. Gjyqtarja e medias në Apelin e Tiranës, u bëri thirrje institucioneve të punojnë ngushtë për rebabilitimin e grave e vajzave, të të cilat pasi të përfundojnë dënimin, të jenë të afta dhe të denja për të përballuar jetën.

“Këtu më të vërtetë janë njerëz që iu është kufizuar liria, por që meritojnë të respektohen të drejtat e njeriut, të drejtat e tjera, dinjiteti njerëzor. Do të duhet që shoqëria, institucionet të jenë të ndjeshme, ndaj historisë së gjithsecilës prej tyre.”, tha Petri. Një nga zyrtaret e burgut iu bëri thirrje grave të drejtësisë, të tregojnë kujdes kur vendosin për fatet njerëzore.

“Nga ana e gjyqtarëve duhet të eliminuar paragjykimi, kjo i vret shumë gratë. “Çdonjëri nga ne do duhet ta trajtojë çështjen që gjykon, duke mos injoruar historinë njerëzore, që ka secili prej personave, që në rrethana të caktuara ka kryer një krim dhe që sigurisht meriton një dënim”, shtoi Petri. Aktiviteti u zhvillua në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave e vajzave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb