Dibala është një rrjedhojë e Roberto Baxhos, sot është e qartë. Dhe origjina e kësaj historie rrjedh në një hotel të Avelinos. “Maj 1990, ishim në një hotel pranë atij që akomodohej dhe Juventusi, i cili mbrëmjen tjetër do të luante finalen e kthimit të Kupës së Italisë, kundër Fiorentinës. Në hotel ishim unë dhe administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani.

Kishim gjetur akordin për transferimin e Roberto Baxhos te Milani, – tregon Antonio Kaliendo, menaxheri histori i ‘Bishtalecit të Artë’. – Ishte gjithçka e mbyllur, edhe pse vetëm me fjale. Galiani më ftoi që të shkonim në ‘Arkore’ dhe ta zyrtarizonim akordin me presidentin Berluskoni. Por në mes mora një telefonatë nga Montezemolo, në emër të avokatit Umberto Anjeli. Më tha se duhej të nisesha për në Romë, sepse Fiorentina dhe Juventusi kishin gjetur akordin për shitjen e Baxhos.

‘E dimë për akordin që ti ke gjetur me Milanin, por do të keni gjithsesi të njëjtin trajtim (Kaliendo dhe Baxho) nga ne’, më tha Montezemolo. Gjithsesi, u prita sërish nga Berluskoni dhe i tregova të vërtetën. Ai dhe Galiani u treguan dy zotërinj dhe më thanë se gjithsesi isha sjellë në mënyrë të denjë. Problemi i radhës ishte të bindja Baxhon. Kur ia shpjegova faktet, ai më tha vetëm: ‘Booo, është një tragjedi’”. Dhe në 1990-ën, Robi Baxho u bë numri 10 i ri i Juventusit dhe kjo ishte përplasja e parë në merkaton bardhë-kuqezi.

NGA XHIXHO TE RUGANI
Në dy skuadrat aktuale gjithsesi ka një seri shembujsh më të freskët. I pari, siç imponon edhe roli është Donaruma. Në verën e çoroditur të vitit të kaluar, Juventusi provoi me “edukatë” që të futej në mes të tratativës. “Urimi që i bëj është që në fund të gjejnë një akord mes tyre, por kur një lojtar i rëndësishëm është në merkato, si Donaruma në këtë rast, Juventusi ka detyrën që të provojë ta blejë. Xhixho është një talent, bën diferencën”, – ishte pranimi i asaj kohe nga drejtori i përgjithshëm bardhezi, Xhuzepe Marota.

Në dy çështja biznesi të tjera, Milani u shiti bardhezinjve De Shiljon për 12 milionë euro, por më pas “Djalli” shtoi edhe 28 milionë euro të tjera (40 milionë totali) për të transferuar Bonuçin nga Torino në Milano. Në verën e kaluar, të dyja ekipet hapën bisedimet edhe për një tjetër lojtar. Milani, duke hasur shumë vështirësi për Muzakion, e zhvendosi vështrimin te juventini Rugani, por bardhezinjtë bënë mur.

SA SHUMË TË TJERË
Nëse gërmon, gjen edhe shumë kryqëzime aktuale edhe pak më të vjetra, duke lënë mënjanë vetëm çështjen Pirlo, i cili u largua me parametër zero nga kuqezinjtë. Por ndër ato që njihen më pak veçohen: Lokateli ishte një djalosh që u vu përpara përgjegjësisë për të zgjedhur skuadrën e të ardhmes. Përveç Milanit ishin edhe Inter e Juve. Montolivo përfundoi gjithashtu në orbitën bardhezi, në një nga sesionet e viteve të fundit të dimrit. Markizio nga ana tjetër, u përfol shpesh se ishte pranë Milanit, por vazhdoi të mbetej juventin, ndërsa vera e vitit 2016 i përkiste e gjitha Rodrigo Bentankurit.

Atë periudhë, administratori Galiani e mban mend mjaft mirë, sepse edhe ato pak orë relaks që i kishte ofruar vetes në Ibica iu turbulluan: Galiani kishte gjetur akordin total me Boka Junjorsin për ta sjellë në “Milanelo”. Por papritur Boka rriti pretendimet me një seri bonusesh dhe ndoshta, duke parë se ku ka përfunduar sot (te Juventusi), prapa mendohet se kush fshihej. Dhe ndoshta, stërkëmbëshi i radhës mund të jetë Bonaventura, nga Milano në Torino me Raiolën që ka nisur punën…

DARKA PËR DIBALËN
Montela, sapo u ngjit në krye të pankinës, kishte vetëm një kërkesë dhe asnjë tjetër: Huan Kuadradon, por Juventusi e bëri të vetin. Një verë më përpara, në atë të vitit 2015, ishte Dibala një hap larg Milani. Paulo madje ishte “pjata” dhe arsyeja kryesore e darkës mes Zamparinit dhe Berluskonit, në shtëpinë e këtij të fundit.

“Silvio e donte me çdo kusht Dibalën, ma tha hapur gjatë darkës. Por lojtari ishte miqësuar shumë me Juven dhe nuk e detyroja dot”, tregoi Zamparini. Një numër 10 i kërkuar nga Milani që përfundoi duke bërë të madh Juven. Me pak fjalë, po… Dibala duket si Baxho.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/nga-baxho-te-dibala-sa-shume-intriga-merkatoje-mes-milanit-dhe-juventusit/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb