Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 56-vjeçar në kuadër të operacionit “ROAD GUARD 28”, pasi ishte duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm përkundrejt shpërblimit monetar.

Të arrestuarit i janë sekuestruar automjetin me të cilin po udhëtonte dhe shmangu patrullat e policisë, por edhe 2 aparate celularë.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kotrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 28”. Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin me të cilin transportonte emigrantë të paligjshëm, kapet dhe vihet në pranga 56-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 28”.

Në aksin nacional, në qytetin e Tepelenës, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Peugeot” me drejtues shtetasin M. K., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.

Pas disa minuta ndjekjeje, në vendin e quajtur “Ura e Luftinjës”, Memaliaj, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit M. K., 56 vjeç, banues në Berat, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit që ai drejtonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur 10 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasit M. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb