Në një rrëfim ekskluziv për emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, ish-kryehetuesi i komunizmit, Qemal Lame flet mbi librin e hedhur në botim pak ditë më parë “Dritëhijet e kohës”, i cili u pasua me jo pak polemika. Në këtë botim, Lame shkruambi censurën dhe mënyrën sesi përdoreshin artistët dhe shkrimtarët nga regjimi. Me polemika u pasua libri sa i takon udhërarrestit për Ismail Kadarenë, dhe qëndrimin të mbajtur lidhur me këtë cështje nga ish kryehetuesi i asaj kohe.

“Libri është një punim i realizuar prej kohësh, që prej vitit 1992. Është një seri librash, në atë kohë nuk kisha mundësi t’i botoja. Pasi u largova nga detyra vendosa që t’i botoj, mora kontakt me profesorin tim të letërsisë, të ndjerin Rinush Idrizi. Ia çova librat, por pas një jave më tha se ‘duhet të më kuptosh se nuk mund t’i botoj’ e në fakt kishte të drejtë. Situata në tetor të vitit 1992 ishte shumë e rëndë. Librin e parë, që ishte më konkrete Kur shembeshin themelet e kisha titulluar ‘Demokracia dhe krimet’ e shtypa edhe një herë në Tiranë, e mblodha e kam bërë 3 kopje me tipografinë ushtarake dhe dy kopje i arkivova në hetuesinë e përgjithshme në arkivë që të ishin si material në ndihmë të përgatitjes së studentëve, hetuesve të rinj. Libri i dytë, përmban një periudhë historike të gjerë. Jam munduar që të trajtoj problemet më konkrete të ndjekjes dhe persekutimit të artistëve, për ato që unë kam patur mundësi të di dhe të njoh përmes punës time. Librine 1992 m’u desh ta përmirësoj.

Sa keni punuar për këtë libër?
Në tetor të 1991 ka ndodhur ajo orvatja e parë për ta botuar. Pastaj në 1992 u largova, ka qenë një periudhë shumë e vështirë deri sa u integrova dhe nisa një jetë të re si gjithë të tjerët këtu në Gjermani. Gjatë kësaj kohe kam mbledhur materiale të ndryshme, kritika që është bërë për letërsinë, artin edhe për ndjekjen e shkrimtarëve dhe artistëve. Këtë e kam përfunduar para 4 vjetësh dhe e çova në shtëpinë botuese. Atje u mbajt rreth 4 vjet, unë s’mund ta lejoja më pastaj gjeta një shtëpi botuese tjetër.

Jeni në dijeni dhe keni lexuar të gjithë debatin që është ngritur mbi këtë libër. Z.Lame, për herë të parë del në dritë një fakt nga ju, kur thoni se ka patur urdhra arrestimi për Ismail Kadarenë, ka ndodhur në 1982 u la në harresë për një vit, më pas në ’83. Ju keni qenë pjesë e bisedimeve madje edhe e kontakteve direkte me ish diktatorin Hoxha. Kur e mësuat për herë të parë se pritej një urdhër arresti për Ismail Kadarenë?
Që të jemi të sinqertë cështja e komplotit të kryesuar nga Mehmet Shehu, ishte një cështje shumë speciale dhe ndiqej kryesisht nga Ministri i Brendshëm dhe grupi i hestuesve. Unë sapo kisha vajtur në hetuesi në atë kohë. Që ta dini ju, unë nuk isha përgatitur për në hetuesi. Fillimisht në janar të vitit 1982 më ka dalë emërimi për sekretar ambasade në Paris, por e anuloi prokurori i përgjithshëm, nuk e di pse e bëri atë dhe në muajin mars më nxori emërimin për të më transferuar në Tropojë si prokuror i thjeshtë ushtarak. Unë isha me rezultate shumë të mira. Kisha mbaruar 2 fakultete dhe vijoja studimet pas universitare. Ndodhi që më lajmëruar se duhet të ikja. Vajta dhe mora takim me ministrin e mbrojtjes se isha prokuror i ushtrisë dhe ai nuk dinte gjë që isha transferuar dhe menjëherë mori Ramiz Alinë dhe tha ‘si ka mundësi që ju transferoni prokurorin pa biseduar me mua’, ai tha ‘po ta bisedojmë’, dhe mori diktatorin dhe i tha ‘përse unë jam mënjanuar dhe largohet prokurori kur unë kam nevojë për të në ushtri’. Diktatori i tha se nuk e dinte ‘ do ta shikojmë, por mos kini merak’. Me këto Kadriu më tha ‘shko mos ki problem, do ta shikojmë’. Kur zbrita poshtë takoj prokurorin e përgjithshëm dhe më tha: Pse shkove atje, ne mund ta rregullojmë atë punë.

Ua thash këtë për të kuptuar si ndodhi që unë vajta në hetuesi. Pas kësaj më erdhi emërimi në hetuesi. Unë vajta si hetues i thjeshtë, ndërkohë ishte drejtori i hetuesisë një tjetër dhe vijonte hetimi i komplotit. Unë kam nisur në drejtorinë e hetuesisë në maj 1982. Cështjen e komplotit e hetonte kryesisht ministri i brendshëm dhe grupi hetuesve. Ishte tepër sekret dhe nuk mund të futej asnjëri. Unë kisha porosi, që të shikoja problemet e ligjshmërisë dhe meqë nuk pranova të shkoja në hetuesi, madje u thash se nuk jam dakord, më thanë shiko studimin e riorganizimit të hetuesisë edhe merresha me riorganizimin e hetuesisë. Në momente të veçanta, jam pyetur për probleme ligjore ashtu sic ishte edhe porosia nga diktatori, nga Hekurani.

Në rastin në fjalë ai më tha: Kemi një problem shumë të madh. Komploti është shumë i gjerë dhe shtrihet edhe në letërsi dhe në art dhe personi kryesor është miku i Mehmet Shehut, shoku i ngushtë i Bashkim Shehut.

“Nuk e kam parasysh” – i thashë, “për se e keni fjalën?”. Dhe më thanë se e kanë fjalën për Ismailin, dhe më dhanë disa materiale për t’i parë. Kjo ishte biseda e bërë në vitin 1982 mes meje dhe Hekuranit. Pasi i pash materialet i dhash përgjigje se për mua kjo nuk ekziston dhe disa arsye që i kam argumentuar në libër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb