VLORË

Dy ditë pas skandalit për grabitjen e armëve në bazën ushtarake të Pashalimanit, pesë ushtarakë vazhdojnë të mbahen të ndaluar, ndërsa akuzohen për “shkelje të rregullave të shërbimit në objektet e rëndësishme” dhe “vjedhje”.


Mësohet se katër nga personat e vënë nën akuzë janë: 52-vjeçari Lesko Ramosaçaj, 42-vjeçari Edlir Nelaj, 23-vjeçari Ervis Memsulaj dhe 25-vjeçari Ardit Ramaj. Ndërkaq, ditën e djeshme, ka folur ushtaraku pranë Policisë Ushtarake në Vlorë, i cili ishte roje mbrëmjen e së enjtes kur ndodhi ngjarja.

Ai tha se kishte lëvizur nga vendi i punës pasi kishte pasur ftohtë, për shkak të temperaturave të ulëta. “Lëviza nga vendi i punës, pasi kisha ftohtë. U largova për të shkuar në një vend me ngrohje”, është shprehur ushtaraku.


Nga ana tjetër, familjarët pesë ushtarakëve që mbahen të ndaluar janë shprehur të shqetësuar lidhur me ngjarjen në fjalë. Ata kanë deklaruar se të afërmit e tyre po i trajtojnë si kriminelë. “Po i trajtojnë si kriminelë, nuk po na lënë të takojmë të afërmit tanë”, pohuan familjarët.


Burime ushtarake bëjnë të ditura se bëhet fjalë për një arsenal të vërtetë armësh, nga ato të kalibrave të lehtë, deri tek më të rëndët, përfshirë dhe plumba blindshpues. Mes armatimit të vjedhur është edhe një pushkë amerikane me dylbi M4, disa kallashnikovë si dhe një sasi prej 5 mijë fishekësh.

Dyshimet e para janë se autorët kishin informacion nga brenda bazës.

Lista e materialeve të vjedhura në bazën e Pashalimanit

– 2 armë luftarake automatike model 56 me bajonetë shtizë
– 700 fishekë luftarake 7.62 mm që përdoren nga armë luftarake pistoletë TT model 54
– 3691 fishekë luftarakë që përdoren nga armët luftarake automatik blindëshpues djegës
– 40 granata dore luftarake
– 40 ndezës për granata dore luftarake
– 1 krehër hark automatik luftarake
– 1 pushkë M-4 karabinë luftarake model 14.5 me barel 5x56x45mm
– 1000 fishekë luftarake model 5.56 mm x 45 mm me majë të rrumbullakët normal
– 4 krehra rezervë për 30 fishekë luftarakë 5.56 mm. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb