Është fakt se në futboll, shumica e protagonistëve kanë kaluar një dramë në jetën e tyre dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që kanë ecur kaq shumë. Rastet janë të shumta, por së fundmi po ju sjellim atë të Troy Deeney, futbollist i Watford në “Premier League”.

Sot Deeney është 29-vjeç dhe është kapiten i ekipit, për të cilin ka shënuar 110 gola në 322 paraqitje, duke e ndihmuar fillimisht në 2015 që të ngjitet në ‘Premier League’ dhe më pas të bëjë paraqitje dinjitoze në elitën angleze. Troy gjithashtu është lojtari i parë në historinë e klubit që ka shënuar +20 gola për 3 sezone radhazi.

Në merkaton e fundit emri i Troy-t ishte shumë i përfolur për një lëvizje të mundshme, me kartonin që shkonte në diçka më shumë se 20 mln stërlina. Megjithatë 6 vite më parë situata ishte shumë ndryshe, kur dukej se dyert ishin të mbyllura për një karrierë të futbollistit.

Sulmuesi i Watford u dënua me 10 muaj heqje lirie, në Qershor të 2012, pasi pranoi fajin, ndërkohë që akuzohej për një sulm fizik ndaj një grupi studentesh, dy nga të cilët mbetën të plagosur, njëri me nofullën e thyer dhe tjetri me 20 qepje në trup!

Deeney u dënua së bashku me vëllain e vogël, Ellis, asaj kohe 21 vjeç dhe dy shokë të tij, përkatësisht 20 dhe 26 vjeç, pasi u angazhuan në një “rrahje pa arsye”, siç e përshkroi gjykatësi!

Kapiteni aktual i Watford shërbeu vetëm 3 muaj nga dënimi i tij, për shkak të sjelljes së mirë, por kjo rezultoi një kohë e mjaftueshme për të ndryshuar rrënjësisht jetën e tij, me sulmuesin 29-vjecar që në një intervistë së fundmi, deklaroi se ky dënim qe gjëja me e mire që i kishte ndodhur ndonjëherë!

“Mund të tingëllojë keq, por me gëzoi çdo minutë e kaluar në burg. Eksperienca ishte e tmerrshme, ushqimi, rrobat, kushtet, por më pëlqeu pasi më hapi sytë dhe më beri të kuptoj se çfarë dua apo s’dua të bëj!”

Ai vjen nga një familje e varfër, me nënën që duhet të sakrifikonte shume për te mbajtur familjen, babain biologjik që e kishte braktisur dhe njerkun që hynte dhe dilte nga burgu, por për fatin e tij të mire iu dha një mundësi e dytë!

Ndërkohe që shumë lojtarë do të prisnin ndërprerjen e kontratës nga klubi, pas një incidenti të tillë, Watford-i i qëndroi pranë lojtarit dhe e lejuan në ekipin e parë, pasi kreu dënimin prej 3 muajsh.

“Kur u largova për pak kohë, ato më mbajtën si pjesë e tyre, nuk kishin pse ta bënin. Kështu që doja t’ua shpërbleja”-shpjegoi Deeney në intervistën për Telegraf.

Mbase ka qenë edhe kjo ndjenjë mirënjohje ndaj klubit që ka ndikuar në rritjen dhe performancat e tij, pasi që atëherë ai ka njohur vetëm rritje dhe madje është shndërruar në problem edhe për mbrojtjet e ‘Premier League’ që pas rikthimit të Watford në elitën e futbollit Anglez.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb