Megjithëse kanë kaluar 10 vite, 21 janari 2011 ka ende shumë për të zbuluar. Disa detaje, ndoshta të pathëna i zbulojnë protagonistët e asaj dite nw “Real Story” në News24, gazetarët Mero Baze, Sokol Balla si dhe komandanti i grupit të zjarrit të gardës Agron Malaj.

Baze thotë se ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm atë kohë Lulzim Basha duhet të ishin thirrur nga prokuroria për të dëshmuar. Malaj deklaron se një ditë para, më 20 janar kishin marrë paralajmërim për një atentat ndaj Berishës dhe më 21 janar kishte pasur tentativa për ta evakuuar nga Kryeministria, por ai nuk kishte pranuar..

MERO BAZE
Rreth orës 5 pasdite dy mjekët e Spitalit Ushtarak që kishin lidhje me Partinë Demokratike në pushtet dolën, me siguri të shkretët të detyruar dhe folën për dëshmi mjekësh, të cilat sipas tyre të vrarët janë vrarë me plumba në distancë të afërt, një ekspertizë që një mjek njëherë 1 mijë ta pyesësh nuk e bën dot, sepse nuk kupton nga afërsia, sepse nuk është një mjek ligjor që shpreheshin, por ishin mjekë ortopedë të spitalit ushtarak. Kjo duket që ishte një porosi për të përgatitur terrenin e vrasjeve të bëra nga brenda opozitës. Gjithçka ka ndodhur pastaj në zyrën e Ministrit të Brendshëm, i cili ka grumbulluar informacione paranojakësh për të ilustruar këtë skenar ku hynte, kishte armë surprizë, thika-pistoleta, çadra-pistoleta, thika me helm nga Mashkullora, gjithë marrëzitë e botës, raport që sipas burimeve të mia i është paraqitur Sali Berishës, përpara se të dilte në konferencë për shtyp, nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, por i është paraqitur me rezerva. Duke i thënë: ‘kemi edhe ne disa fakte, p.sh. po nuk janë dhe shumë të besueshme, na i ka sjellë njëri që i ka parë aty, por ne nuk e dimë kush është ai. Këta të policisë thonë nuk është i besueshëm, por unë t’i solla njëherë’. Sali Berisha ka thënë të sakta janë, mi sillni mua këtu dhe ka dalë në konferencë shtypi në orën 19:30 dhe i ka numëruar të gjitha ato.

Një shtet që kryeministri vret, ministri i Brendshëm është përgjegjës për vrasjen dhe nuk thirren në prokurori për të dëshmuar. Nuk ka dëshmi në dosjen e 21 janarit, prej 3 mijë faqesh që e kam shfletuar unë, nuk ka dëshmi të kryeministrit të Shqipërisë. Ka vetëm pjesë nga konferencat e shtypit, ato mund t’i gjesh në gazeta. Prokuroria ka bërë hetimin me joserioz të botës, nuk ka thirrur për dëshmitar  Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm.

AGRON MALAJ
…Me kryeministrin nuk kam pasur komunikim direkt, vetëm me komandantin e njësisë speciale. Jam ngjitur 1 herë në kat të 2 kur u përgatit një plan evakuimi, ku kam parë Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe komandantin e Gardës në hollin e kryeministrisë, po debatonin, kish tension në biseda.

Basha ka qëndruar tërë kohën në kryeministri, duke lëvizur në pozicione të ndryshme nëpër godinë.

SOKOL BALLA
Unë di të them çfarë kam parë, çfarë kam dëgjuar vetë dhe nga dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Vetë kujtoj si gazetar një deklaratë të një dite më parë (20 janar) të Lulzim Bashës, kur ai paralajmëroi protestuesit se çfarë pasojash do të kishin ata nëse do të synonin të sulmonin institucionet e shtetit. Ajo që kam parë unë vetë sepse kam qenë aty…kam parë zotin Basha në tarracën e kryeministrisë së bashku me Ndrea Prendin dhe drejtues të tjerë të policisë, të cilët vëzhgonin nga lart momentet e para të protestës. Gjëja tjetër që di unë është që nga një bisedë më të ndjerin Sokol Olldashi, vite me vonë, Lulzim Basha gjatë orëve kulminante të protestës, nuk ka qenë jo vetëm në Bulevard, por nuk ka qenë as në zyrën e tij, por ka qenë në ndërtesën ngjitur në Ministrinë e Transporteve dhe ka ndjekur i tensionuar zhvillimet e ngjarjes në zyrën e Sokol Olldashit.

AGRON MALAJ
…Se ku ndodhen provat nuk mund t’i them se nuk është çështje që më takon, unë kam pasur 3 çifte snajperësh, pra të shoqëruar me nga një ndihmës snajperist, kemi pasur komunikim për 1 person që mund të kishte armë brezi, që duhet të jenë fotografuar, por unë fotografi nuk kam. Urdhri ka qenë të rrinë në pritje, pasi armët e snajperistëve mund të bëjnë shumë dëm në turmë, dhe ne nuk ishim agresorë me armë në dorë duke hapur zjarr drejt objektit. Aty duhej të ruhej qetësia dhe të përballojë pjesën e operacionit.

Gjatë planit që bëmë në datë 20 janar, patëm info nga Policia e Shtetit, ku thuhej se gjatë lëvizjes së kryeministrit, nga kryeministria për në banesë, mund të kishte atentat. Ne morëm masa me 2 blindat e Policisë Ushtarake që i kishim Brenda kryeministrisë, për t’i pasur gati për evakuim, por ai qëndroi aty dhe nuk lëvizi nga kryeministria. Pati 2-3 tentativa për të bërë evakuimin e kryeministrit. Nuk pranoi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb