PS ka gati draftin e ligjit i ri organik mbi të cilin do të funksionojë institucioni i Presidentit të Republikës, ndërsa palët kanë gjetur dakordësi që ai t’i nënshtrohet procedurave parlamentare.

Gazetari Ergys Gjençaj siguron për ‘BalkanWeb’ draftin e plotë të propozuar nga maxhoranca. Në një prononcim për mediat pak më parë, deputeti i PS-së, Adnor Shameti deklaroi se tashmë pas depozitimit në Kuvend, për ligjin do të ketë dhe nisë dhe konsultimi. Sipas PS, ky ligj nuk cënon dhe as ngushton kompetencat e presidentit, por i jep fund problematikave artificiale të krijuara ndër vite.

Në nenin 20 të ligjit organik për kompetencat e Presidentit, është parashikuar se në këtë rast, kryeministrin e zgjedh Kuvendi, pavarësisht mungesës së dekretit nga kreu i shtetit.

“Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi”, thuhet në pikën 9 të nenit 20 të ligjit.

Po ashtu, ligji parashikon se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.

“Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar sipas kësaj pike bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim”.

Në të njëjtën linjë shkon edhe emërimi i ministrave të rinj të qeverisë. Në ligj parashikohet se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.

Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.

Neni 20
Emërimi i Kryeministrit
1. Emërimi i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Emërimi i Kryeministrit është nismëtar kur procedura për emërimin e kryeministrit nis nga Presidenti i Republikës dhe është pasues kur procedura nis nga Kuvendi. Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.

2. Emërimi nismëtar bëhet në fillim të legjislaturës ose kur posti i Kryeministrit ngelet vakant dhe përfshin emërimin sipas pikave 5, 6 dhe 7 të këtij neni.

3. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet në rastet kur Kryeministri zgjidhet nga Kuvendi pas përfundimit pa sukses të procedurave për miratimin e Kryeministrit të emëruar, kur zgjidhet për shkak të mosushtrimit nga Presidenti i Republikës të kompetences për emërim ose të moszbatimit të procedurës së emërimit, si dhe kur zgjidhet me mocion mosbesimi. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës pa zhvilluar procedura konsultimi.

4. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit, në rastin e emërimit nismëtar, brenda 10 ditëve nga mbledhja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga përfundimi pa sukses i raundit të parë për miratimin nga Kuvendi të Kryeministrit të emëruar, ose brenda 10 ditëve nga krijimi i vakancës. Për emërimin pasues, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit brenda 10 ditëve nga votimi në Kuvend për Kryeministrin e zgjedhur
nga vetë Kuvendi.

5. Presidenti i Republikës bën emërimin nismëtar të Kryeministrit, pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Konsulta ka qëllim të identifikojë kandidatin që gëzon mbështetjen e shumicës së Kuvendit dhe që mund të marrë miratimin në Kuvend. Kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend mund t’i paraprijnë konsultës me Presidentin e Republikës me takime eksploruese mids tyre, me qëllim që të
lehtësojnë përafrimin drejt kandidaturave të përbashkëta.

6. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

7. Në rast se kandidati i emëruar nuk miratohet në raundin e parë të votimit, atëherë Presidenti i Republikës rinis konsultën me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë së dytë me numrin më të madh të vendeve në Kuvend.

8. Në rast se kandidati i emëruar në raundin e dytë nuk miratohet, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin e zgjedhur nga Kuvendi, ose shpërndan Kuvendin, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë vetë Kryeministrin e ri.

9. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi.

10. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar sipas kësaj pike bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.

Neni 21
Emërimi i ministrave
1. Ministrat emërohen nga Presidenti i Republikës me dekret, sipas propozimit të Kryeministrit. Dekreti kundërfirmohet nga Kryeministri.

2. Në rast se Presidenti i Republikës konstaton përpara emërimit, se ministri i propozuar nuk plotëson ndonjë nga kushtet për të qenë deputet, nuk ka shtetësinë apo moshën e kërkuar, ose nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit, prokurorit, ushtarakut të shërbimit aktiv, punonjësit të policisë apo të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatik, apo të kryetarit të bashkisë apo prefektit, përpara momentit të propozimit, atëherë Presidenti i Republikës informon me shkrim Kryeministrin për pengesën për emërim, duke i kërkuar tërheqjen e propozimit dhe zëvendesimin me një kandidaturë tjetër, brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit.

3. Presidenti i Republikës nuk mund të vonojë apo pengojë emërimin e ministrit të propozuar për asnjë motiv apo shkak tjetër, përveç atyre të pikës 2 të këtij neni.

4. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb