Operacioni Forca e Ligjit është ndalur sot në Lushnjë dhe Fier, ku i ka kërkuar plotësimin e formularit 4 subjekteve. Gazetarja Dorjana Bezat raporton se bëhet fjalë për shtetasit; Aldo Gorreja, banues në Divjakë, Lushnjë, i dënuar në Itali për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”; Marenglen Halka, banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Po ashtu në ‘filtrin’ e OFL-së janë vënë edhe Leonard Hyka, banues në Patos, Fier, i dënuar për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i narkotikëve” si dhe Redon Koni, banues në Patos, Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

NJOFTIMI I OFL
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

A. G., banues në Divjakë, Lushnjë, i dënuar në Itali për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”;

M. H., banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë dhe “Grup i strukturuar kriminal”;

L. H., banues në Patos, Fier, i dënuar për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i narkotikëve”;

R. K., banues në Patos, Fier, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: