Me një ekuipazh prej 36 personash në bord, anija ‘Rozafa 15’ ka nisur një ndër rrugëtimet e saj dhe bashkë me këtë udhëtim na shoqërojnë edhe pyetje të shumta, për të cilat na informon drejtori i flotës Rozafa në Portin e Shëngjinit, Andon Nako.

“Mirëserdhët në anijen ‘Rozafa 15’, një anije që është tip i fundit për gjuajtjen e peshkut Pellagjik dhe është e pajisur me aparaturat tipi fundit të teknologjisë për kapjen e peshkut acuges, skume etj”, thekson Nako.

Shumëllojshmëria e peshqve i jep vlera flotës së kompanisë shqiptare “Rozafa fish”. Andoni na tregon për një sukses tjetër të kësaj flote.

“Gjithashtu me këtë anije ne bëjmë edhe kapjen e peshkut ton, që kapet njëherë në vit dhe kjo realizohet në Detin Mesdhe mes shumë anijeve të tjera që vijën nga Franca, Spanja, Italia”, shton ai.

Për të parë më nga afër ecurinë e punës dhe teknologjinë mbështetëse të kësaj anije ne u ngjitëm në urën e kapitenit. Ajo çfarë vëmë re është përbërja e ekuipazhit, për të cilën janë angazhuar marinarë turq.

“Ne dalim në det prej Limanit. Udhëtimi zgjat rreth 5 orë. Nëpërmjet aparaturave ne kuptojmë se ku ndodhet peshku. Më pas, ndezim llampat dhe presim derisa të grumbullohet peshku. Grumbullojmë rreth 600 arka me peshk”, tregon Mesut Toz.

“Siç e shikoni, këto janë të gjithë aparaturat e anijes. Falë këtyre aparaturave bëhet gjetja dhe kapja e peshkut. Duke filluar që nga radari, që tregon largësinë e mjeteve të tjera dhe largësinë nga toka, gjithashtu edhe pozicionin tonë. Ndërsa, këto 3 aparaturat e tjera që ne i quajmë sonar bëjnë gjetjen e peshkut. Nëse fokusohemi këtu vëmë re nje sasi peshku. Pasi afrohemi atje hedhim llapat, ajo ka vetinë që të grumbullojë peshkun. Në momentin që peshku bëhet grumbull, ateherë hidhet rrjeta”, rrëfen Remzi Oktaj.

Anija ‘Rozafa 15’ vazhdon lundrimin e saj. Bashkë me të dhe koha ecën.

Qëndrimi me ditë të tëra në det bën që anija Rozafa t’i ofrojë ekuipazhit turk të saj edhe kushtet më të mira për të jetuar aty.

Teksa udhëtimit tonë në anijen Rozafa po i vjen fundi, një nga kapitenët na tregon shifrën rekord të kapjes së peshkut ton 2 javë më parë.

“Para 15 ditësh kemi pasur një sukses, teksa shkuam në Maltë, ekuipazhi i anijes ka zënë rreth 150 tonë peshk të llojit ton”, thotë Remzi Oktaj.

Mirëpo, ky nuk është rekordi i vetëm i kësaj kompanie, pasi siç tregojnë vetë ata kompania Rozafa ka kapur peshkun e parë ton në mesdhe, duke lënë pas flotën franceze, italiane dhe spanjolle.

Rrugës për në kthim, punëtorët e anijes kanë kryer procedurën e seleksionimit të peshkut. Teksa i afrohemi portit të Shëngjinit, në horizont shfaqet një anije tjetër.
Flota e kompanisë shqiptare ‘Rozafa’, në portin e Shëngjinit, përbëhet nga 15 anije, të cilat sjellin një sasi të konsiderueshme peshku. Kjo sasi e madhe përpunohet në një qendër madhështore dhe multifunksionale në Labinot të Elbasanit, që vetëm kompania Rozafa me eksperiencën e saj 30-vjeçare mund ta ofrojë.

I afrohemi Labinotit, aty ku ndodhet qyteti i peshkut i ngritur nga investitori Z.Gjergj Luca. Me një qendër përpunimi të prodhimeve të detit, FISH CITY ofron punësim real për 1000 punëtorë. Për një staf kaq të madh, Kompania ‘Rozafa’ ka vendosur në dispozicion të banorëve 7 autobusë, që sjellin çdo ditë punonjësit nga zona të ndryshme të Elbasanit.

FISH CITY është kompleksi më i madh, ku përpunohen prodhimet e detit. Ne i drejtohemi administratores Lisiena Matoshi për t’u njohur më nga afër me disa nga proceset që kryhen në këtë fabrikë, siç është ai i acuges.

Açugia e Kompanisë shqiptare ‘Rozafa’ është një nga produktet kryesore në llojin e saj në dy vende të botës.

Administratorja na tregon më tej edhe hapin tjetër të filetimit.

Karkaleci është një tjetër produkt në Rozafa Fish City, që i nënshtrohet proceseve strikte të përpunimit.

Karkalecat fillimisht shkrihen në vaskat e specializuara, pas pastrimit produkti i nënshtrohet procesit të kujdesshëm të larjes dhe të konfeksionimit, në mënyrë që të jetë gati për eksport. Tabela që shoqëronte të gjithë këto procese ishte MSC, për të cilën pyetëm administratoren.

Çdo mbetje e kësaj fabrike ripërpunohet në stabilimentet e ngritura për riciklim, siç është prodhimi i miellit dhe vajit të karkalecit, produkte organike që përdoren në gastronomi dhe industrinë farmaceutike për vendet nordike. Gjithashtu, të gjitha kutitë dhe qeset, ku janë vendosur produktet e detit, riciklohen, duke i dhënë një rëndësi të veçantë këtij sektori, që të ketë zero mbetje të papërpunuara nga kompania ‘Rozafa’.

Ky stabiliment prej një viti riciklon edhe mbetjet e karkalecit, që vijnë nga fabrika tjetër, që kompania Rozafa ka në Prrenjas, tek ish-parku i hekur-nikelit. Edhe kjo fabrikë përpunon karkalecin, duke gjeneruar punësim për 200 gra e vajza, gjë të cilën na e pohon edhe kryetari i bashkisë së Prrenjasit.

Edhe pse hapja e kësaj fabrike në Prrenjas do të gjeneronte punësimin më të madh për këtë zone, Kompania ‘Rozafa’ u përball me vështirësi të shumta, në një kohë që kishte ndjekur bazën ligjore. Ish-kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira, e paditi Z.Luca për ndërtim pa leje.

Investimi i kompanisë shqiptare ‘Rozafa’ prej 1 viti është shtrirë edhe në stabilimentin më të ri në Cekrez të Gramshit. Kryetari i kësaj bashkie e cilëson një investim strategjik të domosdoshëm për rritjen e punësimit në zonë.

Fabrika që po ndërtohet në Gramsh do të shërbejë për prodhimin e ushqimeve për akuakulturë, një risi e re për tregjet.

“Rozafa” nuk do të ndalojë rrugëtimin e vet të suksesit në det dhe në tokë. Ëndrrat e kompanisë Rozafa, të kthyera në realitet, do të vazhdojnë për të rritur punësimin, frenuar emigracionin dhe fuqizuar ekonominë e vendit. Fakti që Rozafa ruan cilësinë e produktit, shërbimin dhe investimet në vazhdimësi tregojnë se Z.Gjergj Luca është një investitor i fuqishëm dhe strategjik për Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb