“Nuk e di se kush mund ta ketë bërë. Konflikte të mëdha nuk kam me askënd. As në lidhje me detyrën”. Kështu deklaron në një prononcim për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Elidon Ndreka, efektivi i burgut të Shënkollit Nikoll Prenga.

Ai tha se mjeti i tij, që u shkrumbua nga zjarri gjatë natës teksa ishte e parkuar jashtë shtëpisë, nuk kishte asnjë defekt. Po ashtu efektivi mohoi faktin se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e tij, ndërsa tha se ka konflikte pronësie për një biznes që ai disponon.

“Për mua është për t’u parë, se makina ime nuk ka pasur probleme teknike. S’ka pasur asnjë problem elektrik. Është për t’u parë gjithçka. Unë punoj në këtë burg, s’kam asnjë shkak për arsye detyre, por ngelet për t’u parë. Nuk kam asnjë konflikt pune. Kur nuk sheh njeri, dhe nuk ke parë e dëgjuar gjë, si vë dot gishtin kujt…Mund të kemi konflikte të vogla, por jo të mëdha. Ne kemi një biznes të vogël këtu dhe disa persona janë futur jashtë gjërave ligjore, sa i përket të drejtave pasurore. Ne i kemi paralajmëruar se janë futur gabimisht, pasi kanë marrë kontrata me dokumente false, çështje që ka shkuar dhe në polici. Dyshimet janë nga të gjitha anët dhe se di, jam pak i lodhur shpirtërisht. Apeli im është që të zbardhen të gjitha çështjet të tilla. Këto janë çështje terroriste. Nëse ekziston dora e njeriut, është terroriste.”, tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb