Kryeministri Edi Rama është pritur sot në një takim zyrtar nga kryeministri britanik Rishi Sunak.

Rama ka ndarë në Facebook, një video nga takimi me homologun britanik, ndërsa temat ku edhe u fokusuan ishte çështjen e emigracionit.

Një na çështjet që ka shkaktuar mjaft debate, kjo edhe për shkak të kritikave të ashpra të sekretares së Brendshme, Braverman, ndaj emigrantëve shqiptarë.

Pjesë nga biseda:

Rishi Sunak: Edi, është kënaqësi e madhe t’ju uroj mirëseardhjen në Mbretërinë e Bashkuar, në Downing Street sot. Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria qartazi kanë tashmë një partneritet të fortë dhe presim me padurim të thellojmë këtë marrëdhënie me ju sot. Vitin e kaluar kemi nënshkruar një komunikatë për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe jam shumë i kënaqur me progresin e bërë në këtë drejtim. Do ta diskutojmë këtë më vonë.


Pavarësisht reagimit qeveritar që ngjallën deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në mediat britanike, ai i përsëriti të njëjtin qëndrim dhe homologut Rishi Sunak se shqiptarët pavarësisht se mes tyre ka mollë të kalbura, nuk duhet të trajtohen vetëm si njerëz që vijnë me varka në mënyrë ilegale pasi janë një komunitet ku spikasin talente e njerëz punëtorë, e që respekti ndaj tyre të mos mungojë, kërkon siguri prej vetë atij.

Edi Rama: Ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjeshtë një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po ashtu Dua Lipa nuk është thjeshtë një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë që kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë për ju. Dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet, jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu. Dhe mollët e kalbura janë objekti ynë i përbashkët për t’u luftuar dhe për të fituar këtë betejë.

Rama dhe Sunak kanë folur dhe për bashkëpunim në luftën ndaj krimit të organizuar.

Rishi Sunak: Do flasim edhe se çfarë mund të bëjmë më shumë për kthimin e të burgosurve.

Edi Rama: Siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë.

Por Sunak pohon se mes dy shteteve ka vend dhe për bashkëpunime në fusha të tjera.

“Ka më shumë kjo marrëdhënia jonë për të folur, që është forcimi i bashkëpunimit tonë ekonomik, tregtisë, sigurisë, sidomos lufta kundër sulmeve armiqësore dhe kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria. Kështu që me të gjitha këto, ka shumë për të cilat ne duhet të flasim por jam i kënaqur që gjendeni këtu.”

Rama vlerëson angazhimin e homologut, por i bën dhe ftesë për të qenë pas Churchillit i pari kryeministër britanik që viziton Shqipërinë.

“Më duhet të them që prej një kohe të gjatë ndihem se ka vërtetë një angazhim serioz, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga ana juaj dhe pres me padurim që të bëj më të mirën së bashku me ju. Faleminderit sërish! E dua dhe t’ju ftoj të vini në Tiranë, në Shqipëri sepse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Shqipërinë qysh prej Winston Churchill.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb