2020-a ka qenë padyshim një vit shumë më ndryshe se zakonisht. Por zakone të caktuara nuk ndryshojnë. Dhe në fakt, ato kanë sot më shumë kuptim. Revista “Nature” ka përpiluar listën e 10 figurave më të rëndësishme shkencore të vitit. Ja cilët janë ata.

Tedros Gebrejesus, kreu i OBSH-së

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e pa veten të detyruar të menaxhonte krizën më të rëndë shëndetësore botërore të 100 viteve të fundit. Gebrejesus është një biolog nga Etiopia. Në vitet 2005-2012 ai ka qenë Ministër i Shëndetësisë së këtij vendi, duke e reformuar plotësisht sistemin shëndetësor dhe duke përmirësuar qasjen në sistem për miliona njerëz.

Verena Mohapt, në kërkim të arinjve polarë

Koordinatore e Observatorit Multidisiplinar për Studimin e Klimës Arktike (Mozaiku), Mohapt ka studiuar efektet e ndryshimit të klimës në terren, që nga viti 2019 në ekosistemin polar. Ajo ka mbledhur të dhëna të paçmueshme, për të kuptuar dhe kundërvepruar ndaj efekteve të ngrohjes globale.

Gonzalo Moratorio, gjuetari i viruseve

Virologu uruguajan është bërë një hero në vendin e tij, pasi ndihmoi në zbutjen e pasojave më të këqija të pandemisë. Ai punon në Institutin Pastër dhe Universitetin e Republikës në Montevideo, dhe së bashku me kolegët e tij ka krijuar një test të ri për koronavirusin, dhe një program kombëtar për testimin masiv të popullatës. Për momentin, Uruguaj është një nga vendet që janë përballur më së miri me pandeminë. Deri më tani numri i të vdekurve nga koronavirusi është vetëm 87 persona .

Adi Utarini, ekspertja që zhduku Ethet Dengue

Ethet Dengue prekin çdo vit 400 milionë njerëz, duke vrarë mbi 25 mijë prej tyre. Adi Utarini, eksperte e shëndetit publik në Universitetin Gadjah Mada, Indonezi, drejtoi një eksperiment që ka sjellë një rënie në77 për qind të rasteve me Ethet Dengue, në qytetin Jogikarta. Utarini dhe ekipi i saj zhvilluan një lloj të veçantë mushkonje, të infektuar me një bakter (të padëmshëm për njerëzit) që i parandalon insektet t`a transmetojnë virusin.

Kethrin Jansen, shkencëtare e vaksinës anti-Covid

Drejtoresha e departamentit të vaksinave në kompaninë Pfizer, ishte organizatorja e punës titanike që u bë për zhvillimin në një kohë rekord të vaksinës së parë me ARN në histori, dhe vaksinës së parë anti-Covid, të aprovuar nga FDA-ja amerikane. Falë energjisë së saj, të cilën shumë prej bashkëpunëtorëve të saj e përshkruajnë si të pashtershme, kompania arriti të përdorë një teknologji ende eksperimentale.

Zhang Jongshen, i pari që renditi gjenomin e Sars-Cov-2

Më 11 mars, virologu kinez publikoi në internet gjenomën e virusit që po shkaktonte pneumoni të çuditshme në Vuhan. Puna e Zhang i tregoi botës se ishte një koronavirus i ngjashëm me atë që shkaktoi epideminë e SARS-it në vitin 2003, duke i dhënë mundësinë kolegëve të tij anembanë botës ta studionin në detaje, dhe mbi këto të dhënat të projektonin zhvillimin e vaksinave.

Çanda Preskod-Ueinshtein, kozmologia e materies së errët

Ajo është bërë bashkë-drejtuese e një grupi shkencëtarësh, që studiojnë hapësirën në kërkim të të dhënave që na lejojnë të kuptojmë se çfarë është lënda e errët dhe si prodhohet ajo. Ajo ka nisur edhe një fushatë të gjerë në internet, për të kërkuar që institucionet të adresojnë çështjen e racizmit në shkencë dhe shoqërinë amerikane.

Li Lanjuan, promovuesja e karantinave

Epidemiologia kineze në Universitetin Zhejiang, e këshilloi qeverinë kineze të mbyllte qytetin e Vuhan për të tentuar kontrollin e përhapjes së epidemisë. Lanjuaun u bë e njohur që gjatë epidemisë së SARS-it, kur sërish rekomandoi karantinën për mijëra njerëz që kishin pasur kontakte me të sëmurët me SARS.

Xhakinda Andern, reagimi më efektiv i një politikaneje ndaj pandemisë

Kryeministrja e Zelandës së Re, shpalli që më 14 mars një seri masash shumë të rrepta për të ngadalësuar shpërthimin epidemik, përfshirë izolimin 2-javor për të gjithë njerëzit që mbërrinin nga jashtë vendit.

Qeveria e saj përdori rreth 20 për qind të PBB për t’iu përgjigjur krizës së Covid-19, më shumë se shumica e vendeve të tjera. Rezultati:Deri më tani, Zelanda ka në total 2 mijë raste dhe 25 vdekje të regjistruara.

Anthony Fauçi, “mburoja” e SHBA-së

Ai ka qenë kreu i Institutit Kombëtar të SHBA për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive. Sot ai etiketohet si “mjeku i një kombi të tërë”, për shkak të rolit të tij si këshilltar i qeverisë gjatë pandemisë Covid-19. Ai nuk hezitoi të përplasej publikisht me Donald Trump, dhe nuk pushoi së punuari në terren, duke vizituar pacientët nëpër spitale. / Wired – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb