Majlinda Keta, ish-drejtoresha e Arsimit në Tiranë, e cila ka punuar me Fildeze Hafizin, kur ajo ishte drejtoreshë kopshti, tregon ne nje interviste per Panorama” si e ka njohur atë dhe progresi që ajo ka pasur në rritjen e saj intelektuale dhe profesionale.

Sipas Ketës, Fildes Hafizi me vetëbesim dhe kërkesë ndaj vetes, kishte mbaruar shkëlqyeshëm shkollën e Magjistraturës. Por Keta sheh dhe problematika me amnistinë e dhunuesve të grave, e veçanërisht ndaj tentativave të vrasjeve.

Si e keni njohur Fildes Hafizin?

Unë e kam njohur Fildesin si drejtoreshë kopshti në Tiranë, kur unë mbaja detyrën e drejtoreshës së Arsimit të Tiranës. Por kam komunikuar me të vazhdimisht, veçanërisht gjatë periudhës që ajo ndiqte shkollën e Magjistraturës. Takimi i fundit me të ka qenë kur më ka treguar për jetën e saj, për kurajën e madhe që pati kur i hyri shkollës së Magjistraturës, e mbaroi në mënyrë të shkëlqyer dhe mes të tjerave më tha se është divorcuar. Mua më ka lidhur puna, por nuk kam pasur dijeni për jetën e saj. Por di që shoqet e saj, me të cilat ka punuar, tregonin se ishte nga ato gra që kërkonte vazhdimisht nga vetja, me ambicie për t’u ngritur më lart intelektualisht dhe nga ana profesionale, nuk merrej me të tjerët. Duket se progresi i saj, rritja e vazhdueshme profesionale dhe intelektuale, mund të ketë qenë burimi i diferencave dhe divergjencave mes tyre, që ka nisur me dhunë dhe përfundoi deri në divorc, e në fund me marrje jete. Fildesi që unë kam njohur para 12 vjetëve ishte një vajzë me shumë vetëvlerësim, e bukur, që e gëzonte progresin që kishte arritur në jetën e saj. Kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe në Magjistraturë. Edhe fëmijët i kishte si yje. Tregonte me gëzim për sukseset e fëmijëve, kur fitonin olimpiada.

Ajo nga Tirana u emërua gjyqtare në Shkodër?

Kjo është shqetësuese. Kur ajo ka qenë me urdhër mbrojtjeje, si ka mundësi që e çon në Shkodër gjyqtare dhe e ke të ekspozuar ndaj çdo kërcënimi nga i cili po mbrohet?! Mua më shqetësojnë tre gjëra në këtë histori: Kur ka një urdhër mbrojtjeje, ligji mund ta precizojë se ç’do të thotë urdhër mbrojtjeje për një grua?! E dyta, procesi i divorcit, a duhet të shoqërohet me seanca psikologjike, reformatore në momentet kur ndahen njerëzit, për të qenë të qartë për detyrimet që kanë ndaj fëmijëve? E treta, këto gra që marrin urdhra mbrojtjeje, çfarë kushtesh u krijojmë ne atyre, apo t’i çojmë siç u bë me Fildesin dhe e çuan në Shkodër, e hapur ndaj çdo kanosjeje?! Ky urdhër mbrojtjeje që kishte marrë Fildesi, pas këtij akti, i la dy fëmijët e saj pa prindër dhe fukarenj. Kjo është mbrojtja që sjell ky urdhër?! Të paktën urdhri duhej ta kthente gjyqtaren me punë në Tiranë, pranë fëmijëve të vet.

Bashkëshorti ka qenë i dënuar më parë, por është amnistuar…!

Ky është skandal. Si ka mundësi që të amnistohet një mashkull i dhunshëm që ishte dënuar për tentativë vrasjeje në publik ndaj bashkëshortes në sytë e fëmijëve?! Prandaj e ndjera i është drejtuar me letër ambasadorit amerikan Donald Lu, sepse e parashikonte se ç’mund t’i ndodhte. A mund të amnistohet një dhunues gruaje me armë në dorë?! Unë mendoj se duhet të ashpërsohen dënimet për ata që dhunojnë gratë, por dhe amnistitë duhet të përjashtojnë ata që kanë dhunuar, e jo më që të kenë kryer tentativë vrasjeje të një gruaje. Këto duhet të kategorizohen si vepra penale të paamnistueshme.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb