Të tjera detaje vijojnë të dalin në dritë nga masakra në Fushë Krujë, ku e ekzekutuan me breshëri plumbash tre të rinjtë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, e më pas u dogjën brenda makinës. Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanWeb” itinerarin e lëvizjes së viktimave, para ekzekutimit mafioz me mbi 90 plumba te mbikalimi i Fushë Krujës.

Siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, të tre viktimat kanë drekuar së bashku në Fushë Krujë, para se të shkonin te një servis në zonën e Tapizës, ku kishin çuar makinën për ta rregulluar. Pas drekës, ata kanë lënë makinën e tyre aty dhe kanë shkuar te servisi me një makinë tjetër, shoqëruar nga një mik i tyre, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta.

Gazetarja Lala raporton se punonjësi i servisit iu ka thënë viktimave se nuk kishte mbaruar punën me makinën dhe se i duhej edhe ca kohë për ta riparuar. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, të siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Lala, punonjësi i servisit është shprehur se “Kanë ardhur dhe janë interesuar për makinën. Unë ju kërkova më shumë kohë dhe ata u larguan”.

Kështu, që të tre janë rikthyer sërish në Fushë Krujë, te vendi ku kanë drekuar, kanë marrë makinën e tyre tip “Passat” dhe janë larguar, drejt mbikalimit, aty ku janë gjendur përballë breshërisë së plumbave. Qëndrimi i viktimave te servisi në zonën e Tapizës është edhe momenti i fundit ku ata shfaqen në kamerat e sigurisë.

Lidhur me këtë, prokuroria ka dyshime të forta që Brilant Martinaj të jetë tradhtuar nga ndonjë person, ndaj dhe po heton jo vetëm punonjësin e servisit, por edhe një person tjetër, i njohur nga organi i Akuzës, që mund të ketë pasur dijeni për ngjarjen.

Gjithashtu, një tjetër provë, që mund të ndihmojë grupin hetimor në zbardhjen e masakrës, është edhe njëra nga armët e gjetura në vendngjarje, e cila rezulton të jetë e modifikuar, ndaj dhe ekspertët po hetojnë të gjejnë se ku mund të jetë modifikuar arma, gjë që mund të çojë në gjurmët e autorëve. Ekzistojnë dyshimet e forta që personi që i ka shoqëruar me makinë drejt servisit mund të ketë dhënë informacion, pasi në vendngjarje viktimat nuk kanë bërë asnjë manovër, as shpejtësi, as shenja frenimi, as përplasje, thjesht janë gjendur përpara breshërisë së plumba.

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në Nikël, menjëherë pas masakrës së trefishtë, RENEA ka verifikuar se pjesa më e madhe të personave të shoqëruar, të cilët janë me rekorde kriminale, rezultojnë të jenë jashtë vendit, sipas të dhënave të sistemit TIMS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb