Për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sfidat nuk janë të pakta. Nëpërmjet politikave stimuluese, ata po përpiqen që të arrijnë konvergjencën me Bashkimin Europian, që në rastin më optimist do të kërkojë disa dekada, në më të keqin dy shekuj. Nga konsolidimi fiskal, te paketat konkurruese, vendet e rajonit po përpiqen që të shndërrohen në një oaz ekonomik për investimet e huaja. Europa po nxit integrimin e tyre si një treg i përbashkët.

Është kthyer tashmë në një ritual të përvitshëm, që në fshatin bregdetar Becic, në Budva të Malit të Zi, të mblidhen njerëzit më të rëndësishëm, që kanë në dorë politikat monetare dhe fiskale të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte samiti i shtatë rajonal i Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Fiskale. Në fokus të samitit ishte “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, dhjetë vjet pas krizës financiare globale”.

Paneli, i cili u udhëhoq nga ministrat e Financave dhe përfaqësues të ministrive, pati në fokus rëndësinë e mëtejshme të konsolidimit fiskal dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të rajonit. Rritja ekonomike e rajonit në 2018-n është projektuar 2.4%.
Sfidat kryesore të rajonit mbeten forcimi i politikave makroekonomike, rritja e konkurrueshmërisë, si dhe politikat fiskale, të cilat do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të konvergjencës.

Sipas studimeve, konvergjenca e vendeve të rajonit me Bashkimin Europian, në rastin më optimist do të mund të arrihet vetëm në 2053, bazuar mbi të dhënat makro aktuale do të arrihet në vitin 2078, dhe sipas skenarit pesimist, konvergjenca do të arrihet në 2220.
Procesi i konvergjencës kërkon rritjen me ritme më të shpejtë se vendet e BE-së, për të arritur sa më shpejt mesataren europiane të të ardhurave.
Gjatë panelit u theksua se konsolidimi fiskal ka arritur që të ulë borxhin në Serbi, Bosnjë dhe Shqipëri. Por shqetësues mbetet ende niveli i lartë i papunësisë në të gjitha vendet e rajonit.

Ministrat në panel nënvizuan se duhet që të bashkërendojnë politikat për ta bërë rajonin me një popullsi prej 18.3 milionë banorësh më tërheqës për investimet e huaja. Për Fatmir Gashin, zëvendësministër i Financave të Kosovës, qëndrueshmëria fiskale është kushti për zhvillimin ekonomik të WB6.

Problemet e një rajoni
Problemi më i madh për të gjashtë vendet vijon të mbetet niveli i lartë i korrupsionit dhe ekonomia në të zezë, por së fundmi vendet po përballen edhe me largimin e njerëzve të kualifikuar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Për z. Goran Pekez, drejtor i çështjeve korporative dhe komunikimit në kompaninë JTI (Japan Tobacco International) për Ballkanin Perëndimor, ka shqetësim për rritjen e tregtisë ilegale në këto vende, kryesisht në Bosnjë dhe Malin e Zi.

Të hyrat nga akcizat në produktet e duhanit në Mal të Zi në katër muajt e parë të vitit 2018 janë zvogëluar për 25,6%, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina ka humbur 770 milionë euro të të hyrave tatimore nga viti 2010 deri më sot. Humbjet janë shkaktuar me rritjen agresive të akcizave dhe rritjen e tregtisë ilegale, argumentoi Pekez në Samit.

Arsyeja për rritjen e shpejtë të tregtisë ilegale me produkte të duhanit në Mal të Zi është rritja e fundit e akcizës specifike nga 30 në 40 euro në 1.000 cigare, njëkohësisht me rritjen e TVSH-së prej 2%, që ka çuar deri te rritja dramatike e çmimeve dhe rënies së dukshme në shitjen e cigareve në tregun legal. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, akciza është rritur nga 28 euro në vitin 2010, deri në 83 euro për 1.000 cigare në vitin 2018. Rritja e akcizave dhe çmimeve të produkteve të duhanit ka qenë barrë shumë e madhe për konsumatorët, të cilët u janë kthyer alternativave ilegale.

Goran Pekez ka theksuar posaçërisht shembullin e Serbisë, ku përpjekjet e përbashkëta të shtetit dhe industrisë kanë sjellë deri te kalendari optimal i akcizave, i cili me rezultatet në luftë kundër tregtisë ilegale, sot rezulton me rritje konstante të të hyrave buxhetore. Industria e duhanit është një nga kontribuuesit tatimorë më të mëdhenj në rajon, me një kontribut prej 2,6 milionë eurosh. Vetëm JTI ka paguar akcizë në vlerë më shumë se 482 milionë euro në rajon, në vitin 2017.
Sipas të dhënave të publikuara nga JTI, industria e duhanit kontribuon në të ardhurat tatimore të vendit me 4% në Shqipëri. Sipas të dhënave rajonale është ndër më të ulëtat në rajon.

Efektet sezonale mund të na detyrojnë të blejmë më shumë euro në treg
Në ditën e dytë të Samitit të Shtatë Rajonal të Guvernatorëve të bankave qendrore rajonale u diskutua mbi politikat monetare dhe stabilitetin e sistemit bankar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Guvernatorët e bankave qendrore shpalosën sfidat kryesore për të ndaluar rreziqet e mundshme në të ardhmen.

Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë, në fjalën e tij tregoi se ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit është i lartë. Kryesisht ekonomia shqiptare është e ekspozuar ndaj nivelit të lartë të euroizimit për shkak të të hyrave nga tregtia, remitancat. Sikurse sektori real, edhe sektori financiar është i ekspozuar.

Edhe pse Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, megjithatë për shkak të mbiçmimit në muajt e parë të 2018-s me më shumë se 7% u detyruan që të bëjnë një ndërhyrje të jashtëzakonshme në treg, duke tërhequr valutë nga tregu – shpjegoi guvernatori Sejko në fjalën e tij.
Guvernatori theksoi se kjo ndërhyrje, e cila bëhet për herë të parë, ka për qëllim të vetëm ruajtjen e inflacionit në objektiv.

Megjithatë, kjo ndërhyrje për Bankën e Shqipërisë po bëhet në një moment ku efektet sezonale po punojnë në të kundërt. Për shkak se priten të hyra prej turistëve, guvernatori Sejko tha se, nëse do të shihet e nevojshme, do të detyrohen të blejnë më shumë valutë në treg.
Tre vite më parë, ky zhvlerësim erdhi si pasojë e fondamenteve, por në 2018-n, mbiçmimi i lekut shkoi përtej këtyre treguesve. Guvernatori tha se kursi i këmbimit u ndikua prej pritshmërive të aktorëve të tregut për rënie të mëtejshme.

Kursi i luhatshëm i këmbimit ka provuar se është një përthithës i besueshëm i goditjeve. Leku shqiptar u nënçmua me rreth 11% në periudhën pas krizës së vitit 2008. Nënçmimi ndodhi në kushtet e reduktimit të kërkesës së huaj, uljes së flukseve hyrëse të kapitalit dhe rritjes së primeve të rrezikut në tregun financiar vendas. Kjo na ndihmoi të rifitonim një pjesë të konkurrueshmërisë me jashtë dhe na lejoi të ndiqnim një politikë monetare ekspansioniste dhe të shmangnim recesionin, shpjegoi guvernatori gjatë konferencës.

Banka e Shqipërisë shënjestron inflacionin
“Në ekonomitë e vogla dhe të hapura, si në rastin e ekonomive tona, kurset e këmbimit kanë si ndikim të drejtpërdrejtë mbiçmimet nëpërmjet mallrave të importuara, ashtu edhe të tërthortë, nëpërmjet ndikimit të tyre mbi konkurrueshmërinë e kostos, balancat e jashtme dhe kërkesën agregate”, – tha guvernatori në Samitin rajonal. Prandaj, parashikimi i tyre makroekonomik dhe modelet e analizës së politikës monetare i japin kursit të këmbimit rol të rëndësishëm.

Më tej, në ekonomitë e euroizuara financiarisht, si në rastin e ekonomive tona, lëvizjet në kursin e këmbimit priren të kenë rrjedhoja për stabilitetin financiar, shtoi ai në fjalën e tij në konferencë.
Nënçmimi i shpejtë i kursit rrit kreditë me probleme, ndërsa periudhat e tejzgjatura të mbiçmimit priren të imponojnë rreziqe financiare dhe të nxisin euroizim të mëtejshëm.

Bankat qendrore që përdorin shënjestrimin e inflacionit duhet të përpiqen të shmangin mbështetjen te lëvizjet e tendencës në kursin e këmbimit. Për sa kohë këto lëvizje janë në linjë me faktorët fondamentalë, këto tendenca përfaqësojnë korrektime strukturore që nuk e largojnë ekonominë nga ekuilibri. Nga ana tjetër, luhatjet afatshkurtra të kursit të këmbimit janë normale në një regjim plotësisht të lirë të kursit. Reagimi i bankave qendrore duhet të varet nga ndikimi i tyre në inflacion, që në vetvete varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kësaj luhatjeje. Sa më e madhe kohëzgjatja dhe sa më i lartë intensiteti i goditjeve, aq më i madh do të ishte ndikimi në inflacion, aq më i madh rreziku i ndryshimeve të shpejta në pritjet e inflacionit dhe aq më e lartë nevoja për reagim sistematik të politikës monetare.

“Faktet e sipërpërmendura kanë udhëhequr reagimin tonë ndaj mbiçmimit të kursit të këmbimit së fundmi në Shqipëri”, tha guvernatori.
Tendenca e mbiçmimit filloi rreth gjysmës së dytë të vitit 2015, por fitoi shpejtësi të konsiderueshme në vitin 2018. Leku u mbiçmua mesatarisht me 2.3% ndaj euros në 2016 dhe 2017, ndërkohë që u mbiçmua me rreth 7% në gjysmën e parë të vitit 2018.
Analiza jonë tregon shpjegime që ndryshojnë qartësisht për mbiçmimin para dhe pas vitit 2018.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb