Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka detajuar programin politik për zgjedhjet e 25 prillit duke theksuar edhe prioritetet kryesore.

Kryemadhi ka deklaruar se përpos taksës së sheshtë 9% që ka rënë dakord me PD, vetë LSI do të angazhohet që çdo familje apo person me të ardhura nën 35 mijë lekë të reja në muaj mos paguajë asnjë taksë.

Sa i përket arsimit Kryemadhi tha se LSI do të realizojë një reformë tërësore, sektor që do të mbështetet me 5% të PBB-së, si dhe me programin Garancia Rinore do të mbështesë sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në Fushën e teknologjisë dhe inovacionit

PJESË NGA FJALA E MONIKA KRYEMADHIT

Ne sot prezantojmë prioritetet e programit tonë, propozime të drejtpërdrejta ku nisur nga emergjenca për ndryshim brenda këtij programi Lëvizja Socialiste për Integrim ka hartuar politika specifike me efekt të shpejtë dhe të drejtpërdrejt për të krijuar mundësinë e punësimit të mirëpaguar dhe për të ulur koston e jetesës dhe sigurisht për të rritur standardin për jetën në familjet shqiptare.

Politikat tona prioritare janë reale dhe të detajuara, të cilat do të tregohen në programin tonë, i cili është tashmë i hartuar, është i qartë dhe do të jetë në shtëpinë e çdo shqiptari për ta lexuar dhe për ta ndjekur.

Gjithmonë ne kemi qenë prezent me programin tonë, me politikat tonë, të cilat kanë qenë të drejtpërdrejta dhe me efekt të drejtpërdrejt për ekonominë e familjeve shqiptare. Dhe ajo që është e vërtetë është se ne e mbajmë fjalën tonë dhe u gjendemi njerëzve pranë.

Punësimi dhe ekonomia janë prioritet për ne dhe të panegociueshme. Me punësimin e shqiptareve është abuzuar  dhe gënjyer shume, besoj të gjithë e mbajnë mend premtimin e pa mbajtur të 300 mije vendeve të punës.

Punësimi për ne është jetik për të kthyer besimin tek  rinia që ata të ndihen në Shqipëri si në shtëpinë e tyre.

Çlirimi i ekonomisë nga monopolet, ulja e taksave te larta qe po i marrin frymën ekonomisë dhe familjeve shqiptare, krijimin e zonave të lira ekonomike ku do të mbështesim drejt për së drejti krijimin e çdo vendi pune për të rinjtë dhe profesionistët do ta kthejnë Shqipërinë shtëpinë e investimeve.

Kemi rënë dakord për taksën e sheshtë 9%, por ne si Lëvizje Socialiste për Integrim angazhohemi për përjashtimin nga çdo taksë për çdo familje ose person me të ardhura nën 35 mijë lekë të reja në muaj.

Do të realizojmë një reformë tërësore në arsim. Do të mbështesim këtë sektor me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto

Shpesh e kemi parë formalizimin e ekonomisë si një betejë titanësh për një kupon tatimor ku zbarkon repart policor për të kapur kuponin e një buke 500 lekëshe.  Ne formalizimin nuk e shikojmë thjesht si një betejë, si një luftë, ne e shikojmë si një bashkëpunim midis shtetit, biznesit dhe konsumatorit prandaj ne propozojmë që brenda 5 muajsh të miratojmë rimbursimin e 5% të çdo blerjeje me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike.

Do të krijojmë mundësinë për të formalizuar konsumin dhe familjet të krijojmë një pagë shtesë në fund të çdo viti. Ky formalizim do të rrisë jo vetëm të ardhurat e familjeve  shqiptare por edhe të ardhurat me buxhetin e shtetit që do të futen në qarkullimin ekonomik dhe mundësi për te nxitur punësimin e te rinjve.

Kjo nisëm kërkon vetëm vullnet politik sepse infrastruktura dhe dëshira e qytetarëve dhe bizneseve ekziston, sepse sot më shumë se kurrë konsumatori dhe qytetari e kërkon shtetin partner në ekonomi, në jetën e tij shoqërore dhe sociale dhe nuk kërkon një xhelat mbi kokë.

Taksat e ulëta dhe formalizimi do të sjellin më shumë investime të huaja dhe vendase dhe me shumë punësim për familjet shqiptare.

Me programin Garancia Rinore do të mbështesim sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në Fushën e teknologjisë dhe inovacionit, prandaj dua të ndalem tek të rinjtë tanë, të cilët përballen me sfida të mëdha si papunësia, kosto e jetesës shpopullimi dhe integrimi në BE.

Një sistem arsimor cilësor që prodhon profesionist dhe jo kartonë diplomash, është  zgjidhja për të garantuar për punën e mirëpaguar, për të krijuar besimin se ardhmja për rinjtë është këtu, që të qëndrojnë këtu, ta konsiderojnë Shqipërinë shtëpinë e tyre dhe për të përgatitur qytetarë për të ardhmen si qytetarë evropianë.

Prandaj, ne do të realizojmë një reformë tërësore në arsim, duke paguar në mënyrë dinjitoze mësuesit tanë që janë ata që edukojnë brezin e ri dhe duke e lidhur  shkollën, me biznesin, dhe me tregun e punës.

Ne do  të mbështesim realisht arsimin me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

5 prioritetet per 5 muajt e parë të qeverisjes nga progami i LSI

1- Programi i rimbursimit 5% të vlerës së çdo blerje, me përjashtim të shpenzimeve që kryhen në entet publike. Çdo qytetar do t’i kthehet mbrapsh 5% për çdo shpenzim që do të bëjë.

2- Mbështetje për familjet e reja dhe rritje të lindshmërisë. Programi nga “Bebja në bebe” duke krijuar fondin për çdo fëmijë të lindur që do ti kthehet në momentin që riprodhon vetveten. 1000 USD fond fillestar deri në maturim rreth 25.000 USD.

Në momentin që një bebe lind, në emër të tij hapet një fond investimi prej 1000 USD, i cili vendoset në një fond investimesh dhe i kthehet bebes në momentin që ai riprodhon vetveten. Kur ai bëhet prind. Duke patur parasysh se mosha mesatare që ai riprodhohet është llogaritur rreth 25 vjec. Mund të jete edhe me shume prej interesave të fondit të investimit.

3- 1% Taksa e të Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdhatë.

4- Të masivizojë programin “Mëso dhe Fito”, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe gjithashtu duke përmirësuar kurrikulën profesionale të tyre, me parimin e gërshëtimit të arsimit profesional me marrjen e dijeve teorike duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit edhe të mësojën, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njëjtën kohë.

5- TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania; Pajisja me Kartën e Fermerit me zbatimin e së cilës bëhet zbritja automatike e pagesës së TVSH-së për imputet bujqësore, (plehra kimik, fidanë, fara, naftë), për rimbursimet dhe subvencionet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb