TIRANE

Prej vitesh artistë shqiptarë të artit pamor janë pjesë e rezidencave artistike në Grac të Austrisë dhe artistë austriake vijnë në rezidenca në Shqipëri.

Ky shkëmbim ju ka dhënë jetë disa projekteve kulturore që kanë kulmuar me ekspozita apo botime si ai ku emri i Lasgush Poradecit, qe zanafilla e një botimi me autorë nga dy vendet. Drejtoresha e Kulturës ne Grac, Christine Kada, shpjegon bashkëpunimin.

“Kam dashur gjithnjë të punoj me Shqipërinë dhe pas erdhi viti kulturor Shqipëri-Austri, kur edhe nisëm rezidencat artistike me galerinë Zeta. Ka qenë frymëzuse për artistët ky shkëmbim dhe ka sjellë ekspozita në Shqipëri e Austri”, thotë ajo.

Ekspozita të përbashkëta apo personale, kanë sjellë përgjatë viteve stile dhe koncepte të ndryshme artistike, ndërsa projektet e artit pamor kanë gjetur udhën drejt letërsisë.

“Vitin e shkuar ne kishim një projekt të madh mbi Lasgush Poradecin. Shkak u bë Lori Lako, një artiste shqiptare që gjatë rezidencës së saj në Grac, ndoqi gjurmët e Poradecit në Austri, vendet ku ai ka qëndruar gjatë studimeve. Pati një simpozim në librarinë shtetërore të Gracit dhe një revistë letrare që u prezantua edhe në Tiranë”.

Poezitë e Lasgushit në Gra të Austrisë, u lexuan nga ballkoni i shtëpisë ku ai pati jetuar si student. Ndërsa shkëmbimet kulturore vijojnë, ekspozita “Petalet e panumërueshme” me artistë nga dy vendet, vijon të jetë e hapur në galerinë “Zeta”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb