Kristal Abazaj ishte një lojtar i panjohur deri një vit më parë. Vetëm në Elbasan flisnin për një talent që ka shumë potenciale dhe se shumë shpejt do të shpërthejë. Por, opinioni i gjerë ishte shumë i vështirë të bindej, për më tepër që mesfushori me tipare sulmuese luante në Kategorinë e Parë me Elbasanin.

Kur u bë pjesë e Luftëtarit në fillim të kampionatit të kaluar, skeptikët ngritën zërin dhe e etiketuan menjëherë si një lojtar normal që do të qëndronte në stol dhe do harrohej shpejt. Por, Abazaj fitoi zemrat e të gjithëve ndeshje pas ndeshjeje, ndërsa talenti i tij ishte i padiskutueshëm. Një vit spektakolar me Luftëtarin dhe, më pas, ftesa për t’u bërë pjesë e Kombëtares së Shpresave.
Gol që në ndeshjen e tij debutuese me kuqezinjtë e vegjël. Dje, ishte dita e tij më e mirë me fanellën kuqezi. Kristal Abazaj ishte më i miri në ndeshjen e djeshme ndaj Islandës, ku shënoi dy gola dhe krijoi gjithmonë panik te vendësit.

Abazaj – “Normalisht ndihem shumë i lumtur për këtë fitore. Golat ia dedikoj familjes sime që më përkrah gjithmonë. Sigurisht, edhe shokëve të ekipit, sepse pa ata nuk mund të kisha bërë asgjë. Unë gjithmonë kam punuar dhe kam dhënë maksimumin tim që kur kam nisur futbollin. Tani puna ime shpërblehet nga dita në ditë. Unë do të vazhdoj të bëj maksimumin dhe të shikojmë se si do të ecin gjërat”, deklaroi fillimisht Abazaj në prononcimin e tij për gazetën pas sfidës së djeshme. I pyetur në lidhje me të ardhmen dhe ofertat që ka pasur gjatë kësaj vere, Abazaj sqaron: “Gjatë kësaj kohe, presidenti i Luftëtarit ka kthyer shumë oferta mbrapsht si nga brenda edhe jashtë vendit. Unë do jap 100% te Luftëtari në sezonin në vazhdim. Po erdhi oferta e kënaqshme, do flas me presidentin për më të mirën time”.

Për sa i përket sezonit të ardhshëm me gjirokastritët, Abazaj thotë: “Normal që mund të bëj edhe më shumë. Unë besoj te grupi sepse e njohim njëri-tjetrin mirë. Objektiv kemi që të dalim mes më të mirave të kampionatit”. Ndërsa në lidhje me ekipin përfaqësues dhe shpresat që ka për një vendet e para, Abazaj thotë: “Besoj se po të kemi edhe fatin me vete edhe në ndeshjet që kemi në vijim, do ecim shumë mirë”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën Kristal Abazaj./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: