Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në tryezën e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha në fund të mbledhjes se është arritur dakordësia mes palëve politike për disa çështje të rëndësishme.

Gjiknuri u shpreh se është rëndë dakord për të zvogëluar periudhën zgjedhore, si dhe është pranuar financimi miks.

“Sot u zhvillua mbledhja e radhës e grupit negociator të Këshillit Politik. Mund të them se ishte një mbledhje e gjatë, por e vlefshme, me shumë debate, por njëkohësisht dhe me disa marrëveshje konsensuale në lidhje me një grup çështjesh. Së pari, u pranua nga të gjitha palët që periudha zgjedhore të zvogëlohet dhe të shkurtohet. Pra, periudhat zgjedhore në Shqipëri do të jenë nga 15 Prilli-15 Maj dhe nga 15 Tetori -15 Nëntor. Kjo, gjithmonë për të reflektuar në një farë mënyre edhe një kërkesë të kahershme të të gjithë aktorëve, mbi të gjitha të industrisë turistike që mendonte se fushatat shpeshherë ndërhynin me sezonin turistik dhe krijonin probleme. Nga ana tjetër është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi dhe klima është më e mirë, njerëzit janë më pak të angazhuar dhe ndikohet edhe më pak nga flukset migratore, siç është emigracioni sezonal ku shumë qytetarë shqiptarë gjatë periudhës së fund Majit, Qershorit, shkojnë në vendet fqinje për të punuar. Mendoj se pjesëmarrja sa më e lartë aktive e njerëzve në zgjedhje do të jetë një gjë shumë e mirë. Kështu që për këtë kemi pasur dakordësi. Nga ana tjetër, ramë dakord edhe për parimin e kuotës gjinore, pra që Shqipëria të avancojë në drejtimin që 1 në 3 emra të jetë grua, gjinia më pak e përfaqësuar. Pra do të thotë që 1 në 3 emra minimalisht të jetë grua ose vajzë, dhe pastaj të shoqëruar dhe me sanksionet përkatëse. Akoma nuk kemi gjetur një model përfundimtar për sanksionet dhe iu la ekspertëve që nisur nga ky parim të shikohet se si të eliminohen dhe disa shqetësime që kanë ndodhur në rastet kur vendet që i kanë takuar gjinisë femërore me mekanizma të caktuar fatkeqësisht nuk janë plotësuar. E treta, ramë dakord që të kemi financimin miks, ku do të ketë një financim nga paraja publike, pra nga qeveria dhe pjesa tjetër nga donacionet private.

Kjo duke e ulur në mënyrë drastike nivelet e raportit mes financimit publik dhe privat. Sot janë në raport 1 me 10, ndërsa duam ta ulim në një raport më të pranueshëm, që akoma jemi duke e diskutuar. Njëkohësisht Qeveria ka marrë përsipër që të shtojë pjesën e financimit publik, pra të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën e ardhshme zgjedhore në mënyrë që të rritet pesha dhe e financimit publik. Akoma kemi disa çështje që na ndajnë këtu, por përgjithësisht kapitulli i financimit të fushatës zgjedhore ka marrë dakordësim, përveç 2-3 elementeve që kanë të bëjnë me nivelet e financimit dhe disa element të tjerë kufizues që ka kërkuar opozita jashtëparlamentare që jemi duke i adresuar. Vendosëm që mbledhjen e radhës ta kemi ditën e Enjte, pas dy ditësh, ku do të trajtojmë disa çështje të tjera të mbetura siç janë krimet zgjedhore, roli i sinjalizuesve, amnistia e personave që denoncojnë krime zgjedhore, dhe shumë e shumë element të tjerë qoftë dhe të fushatës zgjedhore që ne jemi duke i diskutuar dhe ekspertët tashmë janë ulur dhe do të punojnë të të gjitha forcave, njëkohësisht do ti diskutojmë në mbledhjen e radhës. Le të themi që këto ishin rezultatet e kësaj mbledhjeje dhe unë jam i kënaqur, sepse kemi një progres, nuk është përfundimtar por është një hap i mirë dhe çdo gjë e mirë fillon me hapa të parë të mirë.”, tha Gjiknuri.

Pyetje: Z.Gjiknuri, me këtë ritëm a do të mund të përfundojë reforma elektorale brenda 31 Majit, sikundër ka qenë dhe angazhimi juaj i mëparshëm ?
Gjiknuri:
Unë them se nëse punohet me intensitet ne mund ti realizojmë marrëveshjet e përgjithshme, parimet. Mund të marrë pak ditë kohë edhe për ti materializuar ato në drafte ligjore. Më e rëndësishme sesa data, ne kemi thënë që ka qenë vullneti dhe dakordësia politike. Natyrshëm ne kemi thënë që kjo punë nuk mund të zgjatet pambarimisht, por dëshira jonë e kahershme dhe e materializuar tashmë me sjelljen tonë politike, është që të kemi një marrëveshje me opozitën për Kodin e ri Zgjedhor. Nëse nuk u kap 31 Maji, do dhe pak ditë më shumë, nuk është ky themeli, e rëndësishme është që palët të punojnë intensivisht, të mos gjejnë justifikime për tu larguar nga tryeza e bisedimeve dhe të vazhdojmë me këtë ritëm dhe këtë frymë siç diskutuam sot, për të vazhduar dhe me temat e tjera. Të shpresojmë që të kemi një kompromis të mundshëm për të gjitha çështjet e tjera të mprehta që kemi në tavolinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb