Kina regjistroi shtatë vdekje për shkak të COVID-19 në spitalet e saj midis 17 dhe 23 shkurtit, sipas një njoftimi për shtyp nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të lëshuar të shtunën. Numri i vdekjeve ra ndjeshëm, nga 4,273 në baza ditore më 4 janar në zero të enjten, sipas të njëjtit burim.

Qendra raportoi se të gjitha rastet SARS-CoV-2 që nga dhjetori janë për shkak të nënvarianteve të Omicron, 60% në BA.5.2.48 dhe gati 29% në BF.7.14. Po ashtu mësohet se janë identifikuar 22 mutacione lokale që shkaktojnë “shqetësim”, duke përfshirë një rast të XBB.1 dhe pesë raste të XBB.1.5.

Udhëheqja politike e Kinës në fillim të këtij muaji shpalli “fitoren” mbi pandeminë e koronavirusit të ri, duke shprehur kënaqësinë që ka një nga normat më të ulëta të vdekjeve nga COVID-19 në botë. Por nga ana tjetër ekspertët në vende të tjera vënë në dyshim besueshmërinë e të dhënave që Pekini publikon, aq më tepër sepse koronavirusi i ri u lejua të përhapet në të gjithë vendin pas tre vjetësh të një politike të çrrënjosjes së plotë.

Qeveria kineze përfundoi papritmas politikën e saj të zhdukjes së SARS-CoV-2 në fillim të dhjetorit, duke ndjekur shembullin e shumicës së vendeve perëndimore dhe duke lëvizur drejt hapjes së plotë të ekonomisë së saj. Që atëherë, sipas një vlerësimi të bërë nga një shkencëtar kinez muajin e kaluar, deri në 80% e popullsisë së saj është infektuar nga koronavirusi i ri.

Pavarësisht raporteve për fluks të njësive të kujdesit intensiv dhe shtëpive funerale të paaftë për të përballuar, autoritetet kineze po flisnin zyrtarisht në mesin e muajit për rreth 80,000 vdekje nga COVID-19 në spitale në dy muaj. Disa ekspertë besojnë se numri i vërtetë i vdekjeve është shumë më i lartë: shumë pacientë po vdesin në shtëpi, ndërsa mjekët janë të dekurajuar të regjistrojnë se COVID-19 ishte shkaku i çdo vdekjeje në raportet dhe certifikatat që lëshojnë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: