Deputetët e PD kanë folur para parlamentit për protestën e 7 korrikut të thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha. Deputetja Dhurata Çupi pohoi se do të jetë në protestë.

“Po do të marr pjesë”, tha shkurtimisht Çupi.

Po kështu dhe deputeti Agron Gjekmarkaj pohoi se nëse do të jetë në Shqipëri do të marrë pjesë në protestë.

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Hoxha tha se se uron që shqiptarët të protestojnë kundër rritjes së çmimeve ashtu si protestuan pas masakrës së 25 prillit.

“Uroj që shqiptarët të protestojnë si pas masakrës së zgjedhjeve të 25 Prillit në të gjithë qarkun e Kukësit. Ky është një rast që protestohet nga çdo shqiptar jo vetëm nga ata që jetojnë këtu por edhe ata që janë larg dhe që duan që Shqipëria të ndryshojë.
Strukturat e PD janë gjithmonë të bashkuara. Dhe ne e kemi për detyrë të bashkohemi edhe me ata që i bashkohen forcës më të madhe opozitare, Partisë Demokratike. Në këtë kundërt kot hyjmë në këtë parlament”, deklaroi ai.

Deputeti i PD Arbi Agalliu, një nga emrat në grupet e punës për të organizuar bazën për protestën, tha se askush nuk e kishte konsultuar për këtë vendim.

“Unë personalisht apo rrjeti i demokratëve të ndershëm do të refuzojmë korrupsionin dhe çdo akt të ndërmarrë nga kjo qeveri”, tha Agalliu.

Deputeti i PD-së Saimir Korreshi ka konfirmuar edhe njëherë tjetër se do të jetë pjesë e protestës së datës 7 Korrik, pavarësisht se askush nuk e ka pyetur për caktimin e tij në grupin e punës për organizimin e demokratëve.

Siç u shpreh edhe dje në rrjetet sociale, Korreshi tha se kostumi i është prerë edhe pse masa nuk i është marrë ende. Deputeti vijoi më tej duke thënë se duhet ti jepet fund ndarjes së demokratëve në të Bashës dhe në të Berishës.

“Kostumin ma kanë prerë, por masën nuk ma kanë marrë akoma. në protestë do të marr pjesë, ne jemi çdo ditë në kontakt me strukturat dhe me demokratët. I kemi dyzuar, ka demokratë kundër kësaj qeverie që duan të vijnë në protestë, jo se janë me njërin apo me tjetrin. Duhet t’i japim fund kësaj”, tha Korreshi.

Deputeti tjetër Xhelal Mziu deklaroi se 7 korriku është betejë për gjithë qytetarët shqiptarë, duke pohuar se do të jetë pjesë e protestës.

“Nuk është se kemi dalë në terren, por e rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare se sa sot, kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit.
Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë dhe vendin e 7-të në botë për sa i përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeveria e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialist të ndershëm që e kanë votuar janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb