Armando Sadiku ka hequr shumë peripeci gjatë rrugës për të shkuar deri këtu ku është tani, në piedestalin më të lartë. “Panorama Sport” kontaktoi edhe me trajnerin e tij të parë në hapat e futbollit profesionist, Besnik Bashaliu, i cili e ka stërvitur që 14 vjeç. Më parë e pat stërvitur vetë babai i Sadikut, Durimi. Sipas tij, Armando Sadiku binte në sy që në moshë të vogël dhe ka qenë gjithnjë lider në ekip duke bërë diferencën.

Në momentin që u largua jashtë vendit për të luajtur, Bashaliu shprehet se këtu karriera e Armandos do të vinte vetëm në rritje. Më tej, trajneri i parë i tij kujton edhe momentin e golit të parë me Turbinën ndaj Sopotit, me një gjuajtje “alla Del Piero”.

Z. Bashaliu, një ish-lojtar i juaji shënon golin historik për Shqipërinë, si ndiheni?
Emocionet e atij goli kanë qenë për të gjithë shqiptarët të mëdha dhe mund ta imagjinoni vetë sesa i emocionuar kam qenë unë. Bravo Armando Sadiku!

Si e kujtoni Sadikun në stërvitje?
Në fakt, kur fillova të stërvis Armandon, ai kishte marrë mësimet e para nga i ati, Durimi, dhe e kisha më të lehtë për ta përgatitur më tej si futbollist. Për më tepër që kishte cilësi shumë të mira si lojtar, ku e ka treguar veten edhe tani.

Cilat ishin cilësitë e tij më të mira?
Ka pasur një potencë fizike, teknikisht ka qenë shumë mirë, madje edhe portën e njihte me symbyllur. Unë e kam stërvitur në adoleshencë me moshat dhe ai gjithnjë ka luajtur me më të mëdhenj se vetja dhe kjo mendoj se i ka bërë mirë për më vonë.

Kur e vutë re talentin e tij?
Sadiku ishte një lojtar që binte në sy, pasi gjithnjë ka qenë një lider në skuadër. Ai do të mbetet gjithnjë një “djalosh” për dashurinë dhe përkushtimin që ka për lojën e grupit dhe nuk është individualist.

Sadiku ka luajtur gjithnjë sulmues?
Në fakt, roli i tij kryesor ka qenë sulmues, por ka provuar edhe role të tjera, sepse edhe në mesin e fushës apo pas sulmuesve ai jepte gjithnjë rezultat. Madje, një herë e kam futur edhe në portë, pasi nuk kisha portier dhe aty tregoi se edhe këtë punë e bënte mjaft mirë.

Si i kujtoni fillimet e tij si lojtar, tanimë edhe si profesionist?
Rreth moshës 16 vjeç në mos gaboj, unë kam qenë trajner tek ekipet e moshave të Turbinës dhe në një moment skuadra kishte problem me rrogat dhe u bojkotua stërvitja dhe ndeshjet. Do të luante ekipi zinxhir dhe kështu nisi më pas të luajë për Turbinën.

Golin e tij të parë e mbani mend?
E kam të fiksuar si tani atë moment të golit të tij. Ka qenë ndeshja me Sopotin dhe fitonim ne 1 me 0 me gol të Sadikut. Merr topin nga e majta, pasi bën dy driblime, godet pranë zonës së rreptësisë me një goditje “alla Del Piero” dhe topi përfundon në rrjetë.

Kur e kuptuat që Sadiku një ditë do të shkonte kaq larg?
Kur firmosi kontratën e parë jashtë vendit. Atëherë isha i bindur që ai një ditë do të arrinte këtu ku është sot. I uroj gjithë të mirat dhe sa më shumë gola që të na bëjë krenarë të gjithëve!/panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: