Në Komisionin e Sigurisë, deputeti Ervin Salianji u shpreh se policisë bashkiake i ngarkuar disa kompetenca, për të cilat tha se nuk kanë kapacitete në burime njerëzore dhe teknike.

Gjithashtu ai u shpreh kritik, ndërsa tha se sipas tij policët bashkiakë do të përdoren si patronazhistët në zgjedhjet lokale.

“Ky projektligj i propozuar nuk e di nëse ka pasur indicie nga bashkitë apo i iniciuar nga qeveria, por lind i vdekur dhe as rregullon funksionet e policisë bashkiake, vetëm ngarkon me kompetenca. Se si do ti realizojnë këto kompetenca policitë bashkiake kur kanë mungesë të burimeve dhe kapacitete teknike disa herë më pak se Policia e Shtetit ndërsa duhet të kryejnë më shumë funksione se sa Policia e Shtetit. Policia bashkia do të angazhohet edhe me monitorimin e plazheve, të shitësve ambulantë, ndalimi i pijes së duhanit në urban e taksi ,në  korridoret e pallateve, madje edhe në procedurat e shërbimit publik të varrimit. Nuk ka as burime financiare as kapacitete teknike i keni vendosur që të ketë kompetenca për bashkitë kaq shumë sa gjithë shteti i ka problem ti ketë.

Një strukturë që pretendohet ti jepen këto kompetenca në fushën e mbikëqyrje dhe batimit të ligjit, nuk merret minimalisht kujdesi për të parandaluar angazhimin e tyre në fushatë. Kryetarët e bashkive përtej partive politike, do t’i kenë një grup patronazhistës siç ka ndodhur me PS, për t’i përdorur në zgjedhjet lokale, nga heqja e qeseve me presh në rrugë tek kërcënimi, lejimi i ndërtimeve ose jo të paligjshme. Pra jemi para zgjedhjeve lokaleve dhe ky projektligj duhet shtyrë dhe sigurisht duhet diskutuar edhe njëherë. Si ka mundësi që policia bashkiake të fusë hundët në çdo lloj kompetencë të inspektorateve të tjera. Ky projektligj nuk është marrë me seriozitetin e duhur”, tha Salianji, duke shtuar: “S’do e zgjidhin policët bashkiakë duhan në autobusë apo sherreve mes fqinjëve, por duke i dhënë mundësi atyre që të bëhen pjesë e zgjedhjeve, pasi do të jenë njerëzit që do mbledhin vota derë më derë, patronazhistë me kapele policie. Por a ka mundësi që ta ndalojmë këtë? E keni parë se si përdoren bashkitë në zgjedhje, me policët, apo me ndihmat ekonomike do ju kthehen kundër ju. Ndaj e votojmë kundër këtë ligj që e ritheksoj se; lind i vdekur.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb