Diamant Rasha e kishte vendosur. Do të shkonte në Siri. Të luftonte përkrah ISIS. I bindur se një ditë mund të vritej. I bindur gjithashtu se nëse shpëtonte gjallë mund të arrestohej e dënohej. Kishte vetëm një pengesë. Kërkonte bekimin e nënës. Ajo nuk ja dha për disa kohë. Por, Diamanti e bindi. Kaq mjaftoi që ai udhëtonte drejt Sirisë. Gjashtë muaj më vonë, në vatrën e luftës, shkoi Floresha me dy fëmijët e mitur, vajzë e djalë. Ishte viti 2014. Amari, djali i vetëm i Diamantit, është ne mesin e 4 fëmijëve të riatdhesuar në Shqipëri nga kampi i ferrit në Al Hol. Ai mbërriti në atdhe bashkë me nënën Floreshën, dhe dy gjysmëmotrat e tij, të lindura në Siri. Antiterrori që gjurmoi besimtarët myslimanë shqiptarë që udhëtuan drejt Sirisë dhe luftuan përkrah ISIS, ende nuk e kanë të qartë nëse Floresha,  pranoi me dëshirë të udhëtonte me të shoqin, apo ai e detyroi nën kërcënim e dhune. Kjo është një çështje që do ta zbardhë hetimi i çelur që në 2017 nga Prokuroria për Krime të Rënda, e që do të zhvillohet nga SPAK. Floresha qëndron tashmë në një karrige me rrota e gjasat që ajo të ringrihet në këmbë janë të pakta. Jeta e saj, ngjan me një dramë me disa akte. Pak muaj pas mbërritjes në Siri, bashkëshorti i saj Diamanti vritet me spajper. Ajo mbetet e ve me dy fëmijët e mitur. Vajza, ndërkohë kishte hyrë në adoleshencë.

Duket se në mesin e luftëtarëve të ISIS ka një rregull të pashkruar, që nëse njëri nga “vëllezerit” vritet, e veja e tij duhet të martohet me “vëllain” tjetër. Për të lindur fëmijë, që të rritet Umeti Islam. Kështu ndodhi dhe me Floreshën. Ajo u martua me Lavdërim Muhaxherin,  I njohur si “Kasapi I Kaçanikut”. Kryeterroristi shqiptar i ISIS u vra me dron nga forcat amerikane në 2017. Përgjatë tri viteve martese me Muhaxherrin, Floresha solli në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Fati deshi që djali të mos jetonte, sepse lindi me probleme dhe ndërroi jetë shpejt. Pas vrasjes së Lavdërimit, Floresha u martua sërish. Këtë herë me një luftëtar sirian. Sjell në jetë një tjetër vajzë. Nuk mbaron me kaq. Jeta i rezervoi një dramë të rëndë gruas. Në rrethimin e Bagusit, asaj i vritet burri i tretë dhe vajza e madhe, të cilën e kishte me Diamant Rashën ndërsa Floresha mbeti e plagosur rëndë. Vajzën e sapolindur ja rritën “motrat”. Të martën, Floresha dhe 3 fëmijët e saj prekën tokën shqiptare. Shefi i Antiterrorit Gledis Nano, oficeri Indrit Doda, Marc Ghorayeb konsull i pergjithshem i RSH ne Liban dhe keshlitar i Kryeministrit për rajonin dhe një oficer i sigurisë në Siri, zbarkuan në Al Hol.

Whatsapp Image 2020 10 28 At 4.18.42 Pm
Whatsapp Image 2020 10 28 At 4.18.42 Pm

Pas shumë negociatash me ushtarët kurdë Peshmerga, te cilet luftuan kunder grupit terrorist ISIS morën prej andej gruan dhe 4 fëmijë. Një operacion i vështirë, me shumë të panjohura, që sigurisht meriton të duartrokitet. I vonuar, por kjo nuk është një cështje që i takon grupit që shkeli në AL Hol, por qeverisë shqiptare.  Një operacion I vonuar, cka e dëshmon rasti I Kosovës që në pak muaj riatdhesoi të gjithë shtetasit e saj. Pa bujë, pa zhurmë, pa propagandë. në fakt, në Shqipëri truimfoi propaganda. Blicet verbuan sytë e Endri Dumanit, teksa nëna e tij, Midja e përqafonte me mall pas gjashtë vitesh. Endri ishte fëmija I 4 që shpëtoi nga kampi famëkeq. Historia e tij është e trishtë. Babai Shkëlzeni e genjeu gruan e tij, Miden. I tha se do t’i dërgonte dy fëmijët me pushime. E me lejen e saj udhëtoi drejt  Sirisë, ku vetë u vra gjatë luftimeve.  Eva dhe Endri pas shumë peripecish e tmerresh përfunduan në kampin Al Hol. Vajza që tashmë është në moshën e adoleshencës mbeti atje. Në Siri humbi jetën gjyshja e fëmijëve, Mentija që udhëtoi drejt vendit të luftës për të qëndruar pranë nipit e mbesës. Përgjatë këtyre gjashtë viteve, daja i fëmijëve Xhetan Ndregjoni ka bërë cdo përpjekje për t’i rikthyer Evën dhe Endrin në shtëpi. Përpjekjet e tij titanike deri diku u shpërblyen. Por gëzimi ishte gjysmak. Sepse ai mundi të përqafojë vetëm Endrin, por jo Even.

Whatsapp Image 2020 10 28 At 4.18.41 Pm
Whatsapp Image 2020 10 28 At 4.18.41 Pm

Mëgjithatë, ai thotë se s’do ti ndalë përpjekjet për ta kthyer edhe mbesën. Por, ndryshe nga Xhetani, babai i Diamant Rashës, Shabani nuk e përqafoi nipin e tij Amarin. Ai thotë se të afërmit e së vesë së djalit nuk e pranojnë atë, sepse e bëjnë përgjegjës për fatin e keq të Floreshës dhe fëmijëve. Megjithatë, 72-vjeçari, që besoi te zgjedhja e të birit dhe ende “mendon se lufta e tij ishte e drejte” shton se shkoi deri në Rinas dhe e pa nga larg Amarin. Nipi nuk e njohu por ai thotë se u largua mes lotësh prej andej.  Shabani jeton i vetëm tashmë, pasi edhe gruaja e tij ka ndërruar jetë. Nuk do të flasë për kamerat, sepse besimi s’ia lejon. Porse shpreson që një ditë Amari të shkojë e ta takojë. Amari, dy gjysmëmotrat e tij dhe Endri janë dërguar në një qendër rehabilitimi. Sfida më e madhe tashmë për autoritetet është të kuptojnë se çfarë mendojnë e besojnë, e çfarë ishte lufta për këta fëmijë.  Tmerret që kanë përjetuar kanë lënë plagë të thella tek ata e do të duan shumë kohë për t’u shëruar. Mjaft t’iu shihje sytë e “shuar”. Ndaj sot, më shumë se kurrë ata kanë nevojë të jetojnë fëmijërinë, larg medias e propagandës .

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb