Shqipëria sot ka mësuar rivalët e grupit I me të cilët do të ndeshet në kualifikueset për botërorin ‘Katar 2022’.

Të gjitha skuadrat nuk janë të panjohura për Shqipërinë, por me shumicën prej tyre kuqezinjtë ndajnë momente të hidhura, disa prej të cilave janë futur në faqen e errët të historisë së futbollit shqiptar.

Me San Marinon Shqipëria ka vetëm dy përballje në histori në 2006 dhe 2014, të dyja fitore 0-3 për kuqezinjtë. Më pas vjen Andorra. Shqipëria ka 3 fitore në histori ndaj Andorrës, por një humbje nga më të shëmtuarat në memorien e shqiptarëve. Edhe pse miqësore, Andorra na ka mposhtur 2-0 në 17 prill të 2002 që solli dhe shkarkimin e trajnerit Sulejman Demollarit. Ndërkohë i freskët është edhe barazimi i vitit të kaluar, kur Andorra në Elbasan i mori Shqipërisë barazim 2-2.

Padyshim skuadra më e fortë që do përballet Shqipëria në grup është Anglia. Pas thuajse 20 vitesh, Shqipëria do ketë luksin të përballet me yjet e ‘Tre Luanëve’ teksa në 4 sfida në total ka humbur.

Madje i vetmi shqiptar që ka mundur t’i shënojë Anglisë është Altin Rraklli ndërsa në 1989 i pari do të ishte Sulejman Demollari që do i shënonte Anglisë, në ”Wembley”, një supergol që u anlua nga arbitri.

Për të vijuar me Hungarinë, e cila ka lënë në historinë e Shqipërisë njollën më të zezë, humbjen rekord të kuqezinjve me rezultatin 12-0. Veç 24 shtatorit të errët të vitit 1950, ndaj Hungarisë Shqipëria ka humbur edhe 4 herë të tjera, kurse ka marrë vetëm një barazim në vitin e largët 1948.

Nuk mbetet pas as Polonia, me të cilën Shqipëria ka zhvilluar në histori 11 ndeshje, nga të cilat ka humbur 7. Tre barazime kanë arritur t’i marrin kuqezinjtë polakëve, dhe vetëm 1 fitore në një miqësore të largët të 29 nëntorit të vitit 1953.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb