Regjisori i njohur, Pëllumb Kulla, foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për karrierën e tij në estradë dhe më pas në teatër.

Ai foli për aktorët, që ka çmuar më shumë gjatë këtij rrugëtimi, dhe ata me të cilët ka bashkëpunuar, duke u ndalur edhe te bashkëpunimi me TVSH për programacionin e Vitit të Ri.

Pjesë nga intervista:

Si ishte eksperienca për Vlorën dhe Fierin në estradë më pas në teatër, sepse ju bëtë revolucion në Fier e kjo thuhet nga të gjithë profesionistët..
Mirë që thuhet e mirë që miratohet gjithë ky mendim kaq i bukur për mua. Kam punuar mirë, kam studiuar shumë, po ashtu edhe gjuhë të huaja, ndiqja botën e humorit italian e botëror. E gjitha kjo shëtitje lule më lule, prodhonte mjaltin që ishte i imi pastaj. Ky mjaltë arriti të jetë në Fier, 18 vite të plota. Kam qenë me fat, edhe në Vlorë, kur më kërcënohej një arrestim. Në Fier gjeta një trup të mrekullueshme, bëra atë që duhet të ecnin të gjithë, për shkak të vëzhgimit të saktë.

Luftova për një lojë realiste, një lojë të saktë e një dashuri për humorin popullor, që mbajnë erën e humorit popullor dhe pastaj u përzjeva me problematikën që kishte Shqipëria e asaj kohe. Partia kishte aleancë me mua për sa i përket goditjeve që do të bënim. Nuk ishin goditje lart, se nuk isha aq budalla, por ishin goditje që edhe partisë i interesonin dhe u krijua një lloj dashurie ndaj meje dhe një punë që mund të them me kënaqësinë më të madhe se në tërë këtë periudhë të vështirë, 45 vjeçare, kam hasur në oaze të mrekullueshme drite me njerëz të mirë. Kam patur miq që kanë qenë edhe anëtarë të Komitetit Qendror që më deshin, më çmonin, më përkrahnin, më ndihmonin..

Po tërheqje vërejtjesh ka patur… 
Po natyrisht. Në përgjithësi nuk kam pasur probleme, anulime, heqje. Por, ishte shumë determinonte ky lejtmotiv i fatit. Një sekretar i Komitetit të Partisë, Pipi.., më ndihmoi jashtëzakonisht shumë, gjeta përkrahjen e tij të madhe. Edhe klasa intelektuale e industrisë së naftës.

Cilët aktorë çmonit më shumë, me kë kishit më shumë bashkëpunim?
Me aktorët kisha marrëdhënie shumë të mirë, ata ishin të ndryshëm, por të gjithë të dashur, secili pati portretin e vet, që e bëri të pavdekshëm. Fatos Sela ishte i jashtëzakonshëm, Hajrie Rondo, Natasha Sela, Dhimitër Jango, etj. Unë them se aktor si Luftar Paja, i jashtëzakonshëm, me një talent bio, që më ka shkaktuar kënaqësi mua. Pastaj ishte Fuat Boci, ime shoqe, etj. Gjithë kolektivi i aktorëve të estradës ishin të mirë.

Më pas u bëtë bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për programet e Vitit të Ri, si u përzgjodhët?
Në TVSH në atë kohë do veçoja Koço Devolen, që bëri një punë të mrekullueshme. Bashkëpunimi me të ka qenë shumë interesant. Ai na zgjidhi ne, disa që vinim nga rrethet. Ishte një punë me shumë interes dhe pati arritje shumë të bukura, shumë të mira, mbahet mend si një periudhë e artë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb