TIRANË- Një aktor i njohur nga skena e “Portokallisë” do të jetë drejtori i ri i Teatrit të Kukullave. Bëhet fjalë për aktorin Erjon Isai ose një prej “Insta girls”. Lajmin e ka bërë të ditur pedagogu Ergys Mërtiri, i cili thotë se Kryeministri di sesi t’i shpërblejë aktorët më të mirë në mbrojtjen e interesave të tij dhe oligarkëve.

Sipas Mërtirit, Isai ishte pro ndërtimit të 6 kullave në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe kundër protestës për mbrojtjen e Teatrit me arsyetimin se ishte e politizuar.

Deri në sezonin e kaluar Isai ka qenë pjesë e spektaklit të së dielës “Portokalli”, ku mishëronte disa personazhe, ai që mbahet më shumë mend si një prej vajzave të “Insta girls” së bashku me Bes Kallakun. Por këtë sezon ai nuk u pa më në “Portokalli” duke iu përkushtuar punës si regjisor në teatër e tashmë me një pozicion të ri.

STATUSI I MËRTIRIT
Artisti i madh Erion Isai, ai që ishte pro ndërtimit të 6 kullave në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe kundër protestës për mbrojtjen e Teatrit, pasi protesta sipas tij qenka e politizuar, u zgjodh Drejtor i Teatrit të Kukullave, nga një njeri “jopolitik”, si Kryeministri Rama. Pra aktori që mbron artin nga politizimi imagjinar prej opozitës sakrifikon aktorllëkun dhe regjisorllëkun për drejtorllëk!

Ergys Mertiri fb

Ironia është po aq therëse sa dhe realiteti. Kukullat e qeverisë e kanë qepur gojën për të mbrojtur teatrin, ndërsa Kryeministri di sesi t’i shpërblejë aktorët më të mirë në mbrojtjen e interesave të tij dhe oligarkëve.

Erjoni ndërkohë mund të bëjë të vetën duke shpërndarë dekorata të tipit “Master of puppets” ose “Toc Kuklle i Popullit” për ata artistë që mbajnë lart ndërgjegjen klasore dhe vetëdijen politike, siç bëri me Luftarin e madh që sot nuk indinjohet më si dikur për brekët e Violeta Manushit.

Kush është pro Teatrit Kombëtar, dhe kundër Estradës së Kukullave, le të vijë sot në orën 19 në dëgjesën e radhës në oborrin e Teatrit.

DEKLARATA PËR TEATRIN
Pak kohë më parë Erjon Isai ndryshe nga shumë artistë tha se godina e vjetër e teatrit duhet të prishte. “Godina do prishet patjetër. Ne kemi nevojë për një teatër të ri , të tjerat janë marrëzira. Nëse rikonstruktohet kjo godinë, apo bëhet e re, apo bëhet një sallë mes të dyjave, i takon arkitektëve, urbanistëve, historianëve , nuk i takon as regjisorëve as aktorëve”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb