Kjo është Olta, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Mjekësisë. Matura shtetërore ishte një udhëkryq për të, ku duhej të vendoste për profesionin e saj. Edhe pse ishte pjesë e nxënësve të ekselencës, mjekësia, nuk ishte zgjedhja primare për të, por një dëshirë e prindërve, që u rrit shpejt edhe te vetë ajo, që në muajt e parë të studimit.

Dita për një studente mjekësie është shumë e ngarkuar, pasi përballet me orë të gjata leksionesh dhe seminaresh, por edhe lexime jashtë mësimit, për të qenë në të njëjtin hap me evoluimin shkencor në mjekësi.
Kultura mjekësore te qytetarët, pra që t’i drejtohen mjekëve sapo të shfaqin ndonjë problem, e të mos bëhen doktorë të vetes, është nevoja më e madhe që bluzat e bardha sipas studentes së ekselencës duhet të nxisin te njerëzit, ku padyshim sipas saj një rol të rëndësishëm luan edhe media.

Olta ka zgjedhur të vazhdojë studimet në Shqipëri dhe të bëhet një mjeke me kontribut në vendin e saj, pasi siç thotë, ka gjithnjë e më shumë nevojë që të rinjtë të qëndrojnë në atdhe.

Astrit Ceka, me origjinë nga Ulqini zgjodhi Tiranën për të ushtruar veprimtarinë e tij si mjek kardiolog, pranë spitalit QSUT. Kjo zgjedhje erdhi për shkak se dhe studimet i kreu në kryeqytetin shqiptar. Dikur një student, sot familjar dhe baba i një vajze. Sfida më e madhe për të, është koordinimi i kohës mes punës dhe familjes së tij të re.
Edhe pse shpesh puna si mjek e detyron të qëndrojë me orar të zgjatur në punë, kënaqësia që merr nga njerëzit, pas një trajtimi cilësor dhe një operacioni të suksesshëm, është e madhe dhe me e bukura që të dhuron ky profesion, thotë doktor Astriti.
Ai ka një këshillë edhe për qytetarët, që të tregohen të duruar dhe të respektojnë punën e bërë nga mjekët.

30 marsi, njihet si Dita Ndërkombëtare e mjekëve, e një informacion të përmbledhur për këtë, na e tregon, Kreu i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj.

Personeli mjekësor ka rënë shpesh pre e dhunës gjatë ushtrimit të detyrës. Rasti më i fundit flagrant u regjistrua në Spitalin Infektiv në QSUT, ku u dhunua një mjeke, ndërsa akte të ngjashme janë regjistruar në disa prej spitaleve në qytete të vendit.

Sfidë për qeverinë Shqiptare mbetet largimi i personelit mjekësor shqiptar drejt vendeve të tjera të Evropës, ku disa nga ekspertët e kanë cilësuar si një eksod. Sipas Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, në 10 vitet e fundit janë larguar nga vendi 3.700 mjekë, ndërsa vetëm në vitin 2022, janë larguar 75 farmacistë. Para pak javësh qeveria njoftoi rritjen e pagave të tyre, ndërsa Ministria e Arsimit, sheh zgjidhjen te shtimi i kuotave për pranimet në Universitetin e Mjekësisë. Po a mjaftojnë këto hapa për të mbajtur, infermierët, mjekët, farmacistët në Shqipëri?!

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb